Ish-guvernatori i BQK-së do të kompensohet mbi 200 mijë € për mbajtjen në paraburgim

17 nëntor 2020 | 21:55

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Hashim Rexhepi, i cili kishte kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), kompensimin e dëmit material dhe jo material në shumën prej 1.953.104 euro, për shkak të mbajtjes së tij në paraburgim si dhe masave tjera për sigurimin e pranisë së tij.

Një shumë të tillë, ai e kishte kërkuar për shkak të pretendimeve se nga 23 korriku e deri më 23 nëntor të vitit 2010 ishte mbajtur në paraburgim, ku pas kësaj atij i ishin shqiptuar edhe masat tjera si dorëzania dhe paraqitja në Stacionin e Policisë deri më 16 shkurt të vitit 2011, para se të lirohej nga aktakuza me aktvendim nga ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nga shuma totale prej 1.953.104 eurove, që ai kishte kërkuar në emër të dëmit material dhe jo material që i ishin shkaktuar me rastin e arrestimit të tij dhe qëndrimit në paraburgim për katër muaj, si dhe masat tjera, me aktgjykimin e 27 tetorit të këtij viti, Rexhepi do të kompensohet nga shteti në shumën prej 204.307 euro.

Më këtë aktgjykim, Gjykata pjesërisht e ka aprovuar kërkesëpadinë e Rexhepit, ashtu që ka detyruar të paditurën, Republikën e Kosovës – Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që atij në emër të dëmit jo material t’ia paguajë shumën e përgjithshme prej 45.500 euro, me kamatë ligjore si për mjetet e deponuara në banka pa destinim të caktuar, duke u përllogaritur nga data e marrjes së aktgjykimit deri në pagesën definitive, kështu duke e refuzuar pjesën tjetër të kërkesëpadisë sa i përket dëmit jo material.

Gjykata, sipas këtij aktgjykimi, kishte vlerësuar se periudha brenda së cilës palës paditëse i është shkaktuar dëmi moral për shkak të rrënimit të prestigjit, dëmtimit të imazhit dhe reputacionit është periudha prej 172 ditëve.

Po ashtu, Gjykata ia kishte falur besimin ekspertizës psikiatrike, ku thuhet se paditësi ka përjetuar dhimbje shpirtërore të intensitetit të lartë gjatë periudhës së kufizimit të lirisë për katër muaj, si dhe për periudhën prej 172 ditëve, ku dhimbjet shpirtërore thuhet se kishin qenë të intensitetit të ulët. Ndërsa, sa i përket dëmit material sipas këtij aktgjykimi gjykata ia ka aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit, duke detyruar të paditurën që në emër të fitimit të humbur nga të ardhurat personale të parealizuara dhe benefitet tjera përcjellëse, duke ia falur besimin ekspertizës financiare me versionin nga periudha kur paditësi është pushuar nga puna më 23 korrik 2010 e deri në skadencën e mandatit të guvernatorit më 26 mars 2013, atij t’ia paguaj shumën prej 109.834 euro në emër të pagave neto, ndërsa në emër të kontributit pensional shumën prej 12.864 euro, në emër të tatimit në pagë shumën prej 12.204 euro, në emër të kursimeve në sigurimin Slloveno-Kosovar, kontributin në shumën prej 15.543 euro.

Ndërsa Gjykata e ka refuzuar pjesën tjetër të kërkesëpadisë sa i përket periudhës prej skadimit të mandatit të guvernatorit të BQK-së, prej 26 marsit të vitit 2013 e deri më 30 nëntor të vitit 2019. Gjithashtu, Gjykata i ka aprovuar edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore në shumë prej 3.328 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ish-Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi,ishte arrestuar me 23 korrik të vitit 2010 nga Policia në prani të mediave. Arrestimi dhe bastisjet ndaj ish-Guvernatorit ndërlidheshin me një hetim financiar për korrupsion ku dyshohej për keqpërdorim të detyrës apo pozitës zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangie të tatimit, ushtrim të ndikimit dhe shpërlarje të parave. Pas katër muajve sa ishte mbajtur në paraburgim,  ish-Guvernatori Hashim Rexhepi ishte liruar si i pafajshëm nga ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke kaluar sfidat e përditshme të të jetuarit në një…