Ish-kandidati i pavarur për kryetar të Vushtrrisë rreshtohet pas Ferit Idrizit të PDK-së

25 tetor 2025 | 23:13

Ish-kandidati për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Shaban Miftari, ka bërë të ditur se në raundin e dytë të zgjedhjeve më 9 nëntor 2025 do të mbështesë kandidatin Ferit Idrizi, duke e cilësuar këtë si një vendim të motivuar nga interesi i përgjithshëm i qytetarëve dhe zhvillimi i komunës.

Në një reagim publik, Miftari u shpreh mirënjohës ndaj qytetarëve për përkrahjen që i kanë dhënë gjatë fushatës, duke theksuar se çdo takim dhe çdo fjalë nga qytetarët i kanë dhënë forcë dhe motivim të vazhdueshëm.

“Nuk kam nënshkruar asnjë marrëveshje me asnjërën nga partitë që janë në garë, por nga dëshira për të parë Vushtrrinë të ecë përpara, kam vendosur ta mbështes z. Ferit Idrizi,” shkroi Miftari, duke shtuar se ky vendim vjen nga bindja se bashkimi dhe përkushtimi ndaj të mirës së përbashkët janë më të rëndësishme se çdo dallim politik.

Ai gjithashtu theksoi se është sqaruar me të gjithë votuesit e tij, të cilët, pavarësisht vendimit të tij, kanë treguar korrektësi dhe mbeten përkrahës të tij të vërtetë.

“Edhe pse gjatë fushatës kemi pasur mendime të ndryshme dhe jemi përballur në debate politike, kjo ka qenë një garë demokratike dhe e shëndetshme për komunën tonë,” shtoi ai.

Në fund, Miftari ftoi përkrahësit, miqtë dhe qytetarët e Vushtrrisë që ta votojnë Ferit Idrizin në balotazhin e 9 nëntorit, duke i uruar suksese ekipit që do të udhëheqë komunën në mandatin e ardhshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka…