Ish-këshilltari i Thaçit e quan të tmerrshëm procesin gjyqësor në Hagë: Politik dhe i pabazuar në fakte
Ardian Arifaj, ish-këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, e përshkroi si “tmerr” procesin gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke theksuar se ai ka dalë krejtësisht nga misioni për të cilin ishte themeluar dhe po shndërrohet në një gjykatë me motive politike.
Arifaj ka kritikuar kërkesat dhe procedurat e përdorura gjatë viteve të fundit, duke vënë në dukje mungesën e fakteve konkrete që lidhin të akuzuarit me vepra kriminale.
Ai ka thënë se procesi po dëmton aspiratat e popullit të Kosovës për liri, barazi dhe drejtësi.
“Me e përshkrua me një fjalë krejt procesin i cili më së miri po përmbyllet me këtë që po shohim sot, pra me këto deklaratat e sot, është tmerr. Pra është e tmerrshme që në shekullin 21 në Evropë të kemi një proces të tillë politik me motive politike, një proces që krejtësisht ka dalë prej binarëve, prej rrugës në të cilën është nisur ose arsyes për të cilën është themeluar, edhe po kthehet në një proces kundër krejt Kosovës, kundër krejt aspiratave të popullit të Kosovës për liri, për barazi, për drejtësi, edhe krejt asaj që është arritur në Kosovë nga populli i Kosovës, po edhe në bashkëpunim, në partneritet, në aleancë me perëndimin”, ka thënë ai.
E kërkesën e kryeprokurores Kimberly West që të shqiptohet dënimi prej 45 vjetësh për secilin veç e veç, Arifaj e ka konsideruar kërkesë pa ndonjë logjikë dhe kërkesë të papranueshme.
“Më së pari është kërkesë e papranueshme, sigurisht. Është një kërkesë e cila nuk të jep ndonjë shënjë për ndonjë logjikë aty i pamë edhe krahasimet që filluan menjëherë me u bë me dënimet që janë dhënë në raste tjera, gjithmonë kanë qenë më të ulëta. Po jemi duke folur për rastet kur vërtet kanë qenë fajtorë ata të pandehurit. Ajo që është më e rëndësishme këtu është që besojmë që as nuk ka pasur arsye me u mbajt 5 vite në paraburgim, as s’ka thënë që janë raste të tjera, e le mo që aty të ketë diçka për ti ardhur era, për t’i jep erë procesit sikur ka diçka që kanë këta ndonjë përgjegjësi për atë që është folur. Nga ajo që kemi parë deri tani, asnjëherë nuk është dëshmuar ndonjë vepër kriminale e cila i lidh me këta të katërtit. Po dëgjojmë edhe fjalën përfundimtare sot, përsëri prokurorët janë duke folur më shumë me hamendësime, duke provuar me ndërtuar raste, sesa me fakte konkrete. Gjithë këto vite asnjë fakt konkret nuk e kemi parë ne, por edhe vetë mbrojtja po thotë që në ato seancat e mbyllura nuk janë prezantuar fakte që munden me dhënë arsye për çfarëdo dënimi, e le mo të flasim për dënime të rënda”, ka thënë Arifaj, duke shtuar se në fund të këtij procesi presin vendimi lirues për ish-krerët duke theksuar se gjykata ka devijuar nga qëllimi i saj origjinal, që ishte pastrimi i emrit të UÇK-së.
“Definitivisht që po. Sepse e thamë, një nuk ka pasur, nuk kemi parë edhe nga ajo që po dëgjojmë prej mbrojtjes nëpër media, nuk janë prezantuar fakte. E dyta, është kthyer në një gjykatë politike e cila ka devijuar plotësisht nga synimi për të cilin është themeluar. Gjykata kur është themeluar, është themeluar për me e heq atë njollë prej emrit të UÇK-së, e mbajmë mend raportin e Dick Marty-t që e ka pas hedhë disa njolla shumë të zeza, shumë të errëta mbi emrin e UÇK-së, edhe arsyeja e kësaj gjykate ose e përkrahjes si ide për me themelu këtë gjykatë ka qenë që të hiqen ato njolla nga emri i UÇK-së, që të jepet një fjalë përfundimtare, pra e vërteta për UÇK-në dhe atë se çfarë ka ndodhë gjatë luftës në Kosovë. E jo të devijojë krejtësisht, të kthehet në një dhomë e cila nuk bën asgjë tjetër vetëm se tenton ta ndryshojë narrativin për atë se çfarë ka ndodhë në Kosovë, pse ka lindur UÇK-ja, çfarë ka bërë UÇK-ja edhe si erdhëm deri te liria në Kosovë”, ka thënë ai.
Arifaj ka kërkuar që politika të qëndrojë jashtë procesit dhe vendimet të merren vetëm mbi baza faktike.
“Pra është një proces, nuk mundem me e quajt as gjykatë, që ka devijuar krejtësisht nga misioni i vet edhe ka marrë një mision krejt politik. Kjo e bën shumë më të rëndë, kjo e bën shumë më të vështirë të besojmë që politika nuk është e përfshirë, por e bën edhe më të madhe kërkesën tonë që politika të qëndrojë jashtë edhe ky institucion të merret vetëm me drejtësi, të merr vendime vetëm bazuar në fakte e jo nga preferencat politike”, ka deklaruar Arifaj.



