Ish-kryeinspektori i AKI-së: Javët e ardhshme do të jenë të gjata për Kosovën

02 qershor 2023 | 08:24

Është dita e pestë prej kur serbët e veriut kanë zgjedhur të protestojnë në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës.

Përgjatë këtyre ditëve, protestat u përshkallëzuan duke cuar në plagosjen e pjestarëve të KFOR-it, sulme ndaj gazetarëve e medieve e policëve.

Lidhur me zhvillimet në këtë pjesë të Kosovës, ka folur Burim Ramadani, që dikur ishte kryeinspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Ai për Front Online tha se javët e ardhshme do të jenë të gjata për Kosovën.

“Besoj se javët e ardhshme do të jenë vërtet të gjata për Kosovën”, tha ai

Ramadani në një përgjigje për Front Online thotë se Kosova çdo veprim duhet ta koordinoj me NATO-n.

“Kosova, institucionet e saj duhet të jenë më të sinkronizuara në planifikimin e veprimeve dhe jo vetëm në realizimin e tyre me partnerët ndërkombëtarë. Me NATO-n më konkretisht, në mënyrë që Kosova të jetë jo vetëm pala konstruktive, por se Kosova duhet ta shohë veten në çdo veprim, në lidhje të përbashkët me NATO-n”, tha ai

Ish-kryeinspektori i inteligjencës kosovare ka thënë se Vuçiqi po vepron njëjtë si Millosheviqi në vitet e 90-ta.

Ai thotë se narrativa e rreme e Serbisë për Kosovën deri diku e mobilizon shoqërinë atje.

“Vuçiq, edhe për arsye të brendshme, në të njëjtën formë sikurse ka bërë Milosheviçi gjatë viteve ’90, sa herë që ka pasur kriza për pushtetin e tij, është gjuajtur kah Kosova.  Dhe normalisht që tregimi, narrativa e rreme e Serbisë për Kosovën deri diku e mobilizon shoqërinë atje. Partitë opozitare, Shoqëria civile dhe mediat, ato pak që kanë mbetur, do të shiheshin si tradhtare të shtetit nëse ato do të fokusoheshin edhe më tutje në rrëzimin e regjimit autoritar të Vuçiq”, u shpreh Ramadani për Front Online.

Në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, të gjithë shqiptarë, u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Protestuesit u përleshën me pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Zveçan, ku dhjetëra persona mbetën të plagosur.

Pas këtyre zhvillimeve, sekretari Blinken, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë koordinim të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë.

Ndërsa, si pasojë e kësaj, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Kosova është përjashtuar nga stërvitjet “Defender Europe 2023”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës dje (1 qershor) ka nisur zgjedhjet…