Ish-kryetari i Degës së LDK-së në Vushtrri: Veprimi i Tahirit bie ndesh me frymën institucionale të partisë

20 tetor 2025 | 16:49

Ish-kryetari degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Vushtrri, Hysni Gërguri, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në degë, ku kryetari aktual i degës Xhafer Tahiri ka ndërmarrë hapa për krijimin e një koalicioni lokal me Vetëvendosjen pa konsultuar organet e partisë.

Në reagimin e tij, Gërguri e ka cilësuar këtë veprim si në kundërshtim me Statutin e LDK-së dhe si një akt që “bie ndesh me frymën institucionale dhe demokracinë e brendshme të partisë”.

Ai ka theksuar se edhe qendra e LDK-së ka reaguar qartë duke mos e mbështetur këtë lëvizje, çka sipas tij e bën të domosdoshëm “kthimin në rrugën e rregullt statutare”.

Reagimi i plotë i Gërgurit:

Si ish kryetar shumëvjeqar i Degës dhe Kryetar Nderi i Degës së LDK-së në Vushtrri, ndjej detyrim moral dhe politik të shpreh qëndrimin tim lidhur me veprimet e fundit të kryetarit aktual të degës, i cili ka ndërmarrë hapa për krijimin e një koalicioni pa konsultuar organet e partisë dhe në kundërshtim me statutin e LDK-së.

Ky veprim, përveçse bie ndesh me frymën institucionale të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dëmton parimet e demokracisë së brendshme dhe respektin ndaj strukturave legjitime të partisë.

Sot edhe qendra e LDK-së reagoi qartë duke mos e mbështetur një veprim të tillë, gjë që e bën edhe më të domosdoshme kthimin në rrugën e rregullt statutare.

Dje, kryetari i degës ka ftuar në takim vetëm asambleistët e zgjedhur, duke i lënë anash strukturat e tjera të partisë dhe organet e saj legjitime. Edhe më shqetësuese është fakti se, sipas informatave të konfirmuara, të pranishmit janë vënë në lajthitje me pretendimin se ky takim dhe vendimi për bashkëpunim politik kanë marrë aprovimin nga qendra e LDK-së gjë që sot u demantua qartë nga vetë qendra, e cila nuk e mbështet një veprim të tillë.

Megjithatë, pavarësisht mospajtimeve, unë si ish-kryetar dhe si anëtar që kam dhënë shumë për këtë degë, bëj thirrje për unitet, maturi dhe kthim te vlerat që e kanë bërë LDK-në shtëpi të përbashkët të të gjithë atyre që besojnë në demokraci, ligj dhe përgjegjësi.

Koha është për reflektim dhe bashkim, jo për ndarje.

LDK-ja është më e madhe se secili prej nesh, dhe vetëm përmes respektimit të statutit dhe vendimmarrjes së përbashkët mund ta ruajmë forcën dhe besimin e qytetarëve.

Dr.Hysni Gërguri

Ish-Kryetar i Degës

Kryetar Nderi i Degës së LDK-së në Vushtrri

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për Kuvendin komunal të Prishtinës, Trim Syla nga radhët…