
Ish-lojtari i Arsenalit ndërron jetë pas lëndimit të rëndë në tru
Bota e futbollit është tronditur nga lajmi i hidhur për vdekjen e sulmuesit të ri anglez, Billy Vigar, i cili ndërroi jetë në moshën vetëm 21-vjeçare pas një lëndimi të rëndë në tru që pësoi gjatë një ndeshjeje të fundjavës së kaluar.
Vigar, lojtar i Chichester City, u përplas tragjikisht me një sipërfaqe të fortë pranë fushës në minutën e 15-të të ndeshjes kundër Wingate & Finchley në kuadër të Premier Division të Isthmian League. Pas incidentit, ndeshja u ndërpre menjëherë, ndërsa ai u trajtua fillimisht nga ekipi i ambulancës dhe më pas u transportua me helikopter drejt spitalit.
Pavarësisht se iu nënshtrua një operacioni dhe u mbajt në koma të induktuar, dëmtimi i trurit rezultoi fatal dhe Vigar nuk arriti të mbijetonte. Klubi i tij, Chichester City, e konfirmoi lajmin tragjik të enjten në mbrëmje, duke shpërndarë edhe një deklaratë nga familja e tij.
“Pas lëndimit të rëndë që pësoi të shtunën, Billy u vendos në koma të induktuar dhe iu nënshtrua një operacioni për të ndihmuar procesin e shërimit. Por dëmtimi ishte shumë i rëndë dhe ai ndërroi jetë të enjten në mëngjes,” thuhej në reagimin e familjes.
Në mesin e mesazheve të shumta ngushëllimi, edhe klubi londinez Arsenal, ku Vigar kishte kaluar një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij të hershme, publikoi një deklaratë prekëse:
“Të gjithë në Arsenal jemi thellësisht të pikëlluar për vdekjen tragjike të ish-lojtarit tonë të akademisë, Billy Vigar. Përveç talentit të tij të madh, ai do të mbahet mend për dashurinë ndaj lojës dhe karakterin e tij të jashtëzakonshëm.”
Billy Vigar iu bashkua akademisë së Arsenalit në moshën 14-vjeçare dhe në korrik të vitit 2022 nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale me klubin. Ai luajti për ekipin U21 të Arsenalit dhe gjithashtu pati huazime te Derby County U21 dhe Eastbourne.