Ish-mbështetësi i Putin përfundon në psikiatri, pasi u shndërrua papritur në kundërshtarin e tij
Dy ditë më parë, Ilia Remeslo, një mbështetës i zjarrtë i Vladimir Putinit, u shfaq duke ndryshuar qëndrim dhe duke u kthyer në një kritik të ashpër të presidentit rus, madje duke kërkuar që ai të dalë para drejtësisë për krime lufte.
Gazeta “Fontanka” e Shën Petersburgut raportoi se avokati 42-vjeçar është dërguar në Klinikën Psikiatrike Nr. 3 të qytetit, duke iu referuar një burimi brenda vetë institucionit shëndetësor. Reuters shkruan se nuk arriti të kontaktojë vetë Remeslon apo të përcaktojë se si ai përfundoi i shtruar në spital.
Një grua që iu përgjigj numrit telefonik të spitalit konfirmoi për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve se një person me të njëjtin emër, atësi dhe mbiemër si Remeslo është pranuar në klinikë. Punonjësja, e cila nuk pranoi të japë identitetin e saj, tha se nuk ka informacion mbi kohën e shtrimit apo arsyet e tij.
Remeslo ndërtoi karrierën e tij duke denoncuar kritikët e Putinit, derisa u bë vetë një prej tyre. Mes të tjerash, ai shkroi se Putini po zhvillon një “luftë të dështuar” në Ukrainë, e cila ka shkaktuar miliona viktima dhe ka dëmtuar rëndë ekonominë ruse në kurriz të mirëqenies së qytetarëve.
“Vladimir Putin nuk është një president legjitim. Ai duhet të japë dorëheqjen dhe të përballet me drejtësinë si kriminel lufte dhe hajdut”, shkroi Remeslo në një postim të tij.
Ky ndryshim i papritur qëndrimi befasoi rusët, dhe me sa duket i ka kushtuar shtrenjtë.



