Ish-ministri i Jashtëm tregon për gabimin e madh që po bën qeveria Kurti në dialog

08 gusht 2022 | 17:00

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni ka thënë se e mbështet kryeministrin Albin Kurti në interesimin për t’i diskutuar në Bruksel elementet e marrëveshjes së përgjithshme me Serbinë.

Ai ka thënë se qeveria Kurti ka bërë një gabim të madh që ka pranuar të bisedojë e negociojë në Bruksel për tema të veçanta.

“ ‘Jam i interesuar të diskutojmë elementet e marrëveshjes së përgjithshme’, paska deklaruar sot kryeministri Kurti teksa paska folur për agjendën e mundshme të takimit të 18 gushtit me presidentin serb në Bruksel. Mirë shumë! E përkrah plotësisht këtë qasje të re të Kurtit. Natyrisht, nëse ai këtë e mendon dhe nëse përfundimisht e ka kuptuar se strategjia e deritashme e dialogut që ka zhvilluar ai në Bruksel ka qenë tërësisht e gabuar. Kurti duhet përfundimisht ta kuptojë se në dialog duhet trajtuar vetëm atë që ka rëndësi primare, e që është arritja e një marrëveshje të përgjithshme me njohje të ndërsjellë, e cila rrjedhimisht dhe, me automatizëm i zgjidhë të gjitha çështjet tjera midis Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Hyseni në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të bie në grackën e Serbisë duke bërë dialog për çështje të veçanta, sepse, sipas ish-ministrit Hyseni, kjo qasje dialogun e degradon dhe si rrjedhim sjellë forcimin e status-quo-s, që është interes jetik i Serbisë dhe Rusisë.

“Kurti duhet t’i kthehet formulës dhe platformës që e kishim vendosur ne gjatë qeverisë Hoti, e cila konsiston në qëndrimin se s’pari duhet të diskutohen elementet e marrëveshjes së përgjithshme duke përfshirë njohjen dhe të nënshkruhet ajo! E Vetëm pas nënshkrimit dhe njohjes do të fillonte zbatimi i zotimeve të marra me marrëveshjen e përgjithshme”.

“Marrëveshja e përgjithshme i bënë lehtë të zgjidhshme dhe madje tërësisht të parëndësishme shumë nga marrëveshjet e veçanta. Përderisa Serbia insiston se normalizimi mund të vije përmes zbatimit të marrëveshjeve të veçanta, Kurti duhet të insistojë që s’pari duhet të ndodhë normalizimi dhe njohja, e pastaj zbatimi. Pra është formula serbe ‘përmes zbatimit deri te normalizimi’, ndërsa e jona duhet të jet ‘përmes normalizimit deri te zbatimi’. Qeveria Kurti deri tani ka bërë një gabim të madh që ka pranuar të bisedojë e negociojë në Bruksel për tema të veçanta. Brukseli ka kohë sa të duash. Nuk lodhet. Edhe Serbia ka kohë sa të duash. Kosova nuk ka shumë kohë për ta zgjidhur këtë problem sepse mosmbyllja e këtij problemi po reflekton shumë keq në zhvillimin ekonomik, në tërheqjen e investimeve të huaja dhe në shumë fusha të tjera”, ka deklaruar Hyseni.

Ai ka thënë se nuk e kupton pse qeveria Kurti është tërhequr nga parimi në dialog të cilin ishte vendosur në vitin 2020.

“Prandaj nuk jam shumë optimist që të arrihet asnjë lloj normalizimi me Serbinë përmes marrëveshjeve parciale të cilat edhe ashtu janë vështirë të zbatueshme pa një marrëveshje të përgjithshme dhe njohje”, ka thënë ish-ministri Hyseni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i vizitorëve gjatë muajit maj 2022 ishte 32,444, prej…