Ish-ministrja Haradinaj: Mungesa e Kosovës në Samitin e NATO-s, deficit diplomatik
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka kritikuar mungesën e Kosovës në aktivitetet politike të Samitit të NATO-s, duke e cilësuar këtë si pasojë të një deficiti diplomatik dhe jo të statusit të vendit.
Haradinaj reagoi ndaj deklaratave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila kishte argumentuar se Kosova nuk merr pjesë në samitet e NATO-s për shkak se nuk është anëtare e Aleancës dhe nuk është pjesë e programit Partneriteti për Paqe.
Sipas saj, ky shpjegim paraqet vetëm një pjesë të së vërtetës, duke rikujtuar se në vitin 2024 presidentja Vjosa Osmani ishte e ftuar në aktivitetet e Samitit të NATO-s në Uashington, pavarësisht se Kosova nuk kishte status tjetër nga ai që ka sot.
“Po atëherë si ndodhi që në vitin 2024 Presidentja Vjosa Osmani ishte e ftuar në aktivitetin e hapjes me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit si dhe në aktivitetin e përmbylljes të Samitit, me ftesë të Presidentit amerikan? Vetë Presidentja Osmani atë pjesëmarrje e quajti “historike për Kosovën”, duke theksuar se SHBA bëri të mundur praninë e Kosovës pavarësisht se nuk ishte as anëtare e NATO-s dhe as pjesë e Partneritetit për Paqe e as shtet partner.
“Pra nuk është e vërtetë që Presidentja Osmani kishte marrë pjesë vetëm në aktivitetet që lidhen me Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Ajo është ftuar nga Presidenti amerikan të marrë pjesë edhe në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s ku është prezentuar si e ftuar e posaçme e Presidentit Amerikan dhe është rreshtuar krahas shteteve anëtare të NATO-s”.
Ajo ka vlerësuar se pjesëmarrja në ngjarje të nivelit të lartë ndërkombëtar nuk varet vetëm nga kriteret formale, por edhe nga pesha diplomatike e shtetit dhe aftësia e udhëheqësve për të ndërtuar marrëdhënie të forta me aleatët.
Sipas ish-kryediplomates, Kosova duhet të synojë të jetë e pranishme në forumet ku diskutohen çështje strategjike të sigurisë dhe politikës ndërkombëtare.
“Prandaj, në vend të një sqarimi që mundohet të ulë pritjet e qytetarëve dhe të minimizojë ambiciet diplomatike shtetërore, do të ishte më e ndershme të pranohej se këtë herë Kosova nuk arriti të sigurojë një prani politike në aktivitetet e samitit. Kjo nuk është turp. Turp është të paraqitet mungesa e paaftësia si normalitet”, ka shkruar Haradinaj në ‘Facebook’.
Postimi i saj:
KOSOVA dhe NATO
Në diplomaci nuk ka rëndësi vetëm në cilën sallë hyn, por kush ta hap derën.
Sot Ministria e Punëve të Jashtme qenka munduar ta relativizojë mungesën e Kosovës në Samitin e NATO-s duke thënë se “Kosova nuk merr pjesë në samite sepse nuk është anëtare dhe nuk është në Partneritetin për Paqe”. Kjo është një mendësi disfatiste shtetërore, dhe vetëm gjysma e së vërtetës.
Po atëherë si ndodhi që në vitin 2024 Presidentja Vjosa Osmani ishte e ftuar në aktivitetin e hapjes me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit si dhe në aktivitetin e përmbylljes të Samitit, me ftesë të Presidentit amerikan? Vetë Presidentja Osmani atë pjesëmarrje e quajti “historike për Kosovën”, duke theksuar se SHBA bëri të mundur praninë e Kosovës pavarësisht se nuk ishte as anëtare e NATO-s dhe as pjesë e Partneritetit për Paqe e as shtet partner.
Pra nuk është e vërtetë që Presidentja Osmani kishte marrë pjesë vetëm në aktivitetet që lidhen me Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Ajo është ftuar nga Presidenti amerikan të marrë pjesë edhe në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s ku është prezentuar si e ftuar e posaçme e Presidentit Amerikan dhe është rreshtuar krahas shteteve anëtare të NATO-s.
Pra, problemi sot nuk është statusi i Kosovës. Statusi ishte i njëjtë edhe atëherë. Por atëherë Kosova kishte lidere të cilës SHBA i besonte dhe e vleresonte aq sa të rishkruajë edhe vet rregullat e aktiviteteve të Samitit.
Problemi është pesha diplomatike dhe aftësia për të ndërtuar mbështetje politike e diplomatike që Kosova të jetë e pranishme aty ku merren vendimet strategjike dhe të avancohet prania ndërkombëtare e shtetit.
Kur ke liderë që angazhohen në diplomaci aktive dhe japin kontribut për agjenda globale, krijohen përjashtime dhe hapen dyer për Kosovën. Kur nuk ke, justifikimet zëvendësojnë rezultatet.
Prandaj, në vend të një sqarimi që mundohet të ulë pritjet e qytetarëve dhe të minimizojë ambiciet diplomatike shtetërore, do të ishte më e ndershme të pranohej se këtë herë Kosova nuk arriti të sigurojë një prani politike në aktivitetet e samitit. Kjo nuk është turp. Turp është të paraqitet mungesa e paaftësia si normalitet.



