Ish-nënkryetarja e Prishtinës, Sahatçiu: Asnjë komandant nuk më trokiti në derë, Uran Ismaili është ndryshimi që i duhet kryeqytetit

11 tetor 2025 | 18:23

Ish-nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar për herë të parë pas shkarkimit të saj nga Përparim Rama, duke shpërndarë një mesazh të fuqishëm në mbështetje të kandidatit për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili.

Në reagimin e saj, Sahatçiu tregon për përvojën në qeverisjen e kaluar dhe raportin me PDK-në, duke thënë se ajo ishte e kundërta e paragjykimeve. “Në fakt, unë po e gjeja vetën me dinjitetin, sinqeritetin dhe pavarësinë që politikës në princip i mungon,” shkruan ajo, duke theksuar se gjatë mandatit me Ismailin nuk kishte asnjë ndërhyrje apo presion politik nga askush.

Ajo thotë se largimi i saj nga komuna ishte pasojë e “egos së kryetarit aktual që s’e përballoi faktin se pushteti po humbte edhe përbrenda”, jo vetëm nga jashtë duke e cilësuar qeverisjen aktuale si “fasadë” dhe “delirium nga humbja e pushtetit”.

Ndërsa për kandidatin Ismaili ajo tha se “Urani ka qenë spiranca ime në qeverisjen e Prishtinës,” shkruan Sahatçiu, duke shtuar se kandidatura e tij nuk është ambicie politike, por mision për ta bërë Prishtinën funksionale.

Në fund, ajo i bën thirrje qytetarëve që ta mbështesin Uran Ismailin më 12 tetor:
“Jepja vetes mundësinë me pa Prishtinën me Uranin kryetar. S’keni me u pendu – unë e kam pa nga afër, me dinjitet e me krenari.”

Postimi i plotë:

Jepja vetes mundësinë me pa Prishtinën me Uranin kryetar

E kam pa prej brenda si funksionon kjo punë. Çka është fasadë, çka është e vërtetë. Kush punon, e kush flet e ndërron tregimin sa herë flet.

Përvoja ime me PDK-në në Prishtinë ishte e kundërta e paragjykimeve dhe asaj që shumëkush e priste.
Shokë, kolegë, madje edhe familjarë më gjykuan për zgjedhjen që bëra kur iu bashkova ekipit të Uranit.
Menduan se po komprometohesha. Ose se do të më përdornin e gjuanin kur s’ju duhem. Po etiketohesha se politika është veçse e fëlliqur, e PDK është e kundërta e asaj kush jam e çka përfaqësoj. Në fakt, unë po e gjeja vetën me dinjitetin, sinqeritetin dhe pavarësinë që politikës në princip i mungon.

Krejt pritën me më pa mua dhe ekipin tonë – Besianën, Artën, Ilirikun, Platorin, Granitin – mes interesave e pazareve. S’ndodhi kurrë. Asnjë komandant nuk ma trokiti derën për favor, e askush tjetër s’më kërkoi llogari. As edhe për qëndrimet e mia që shpesh janë parë të pazakonta për pozitën që mbaja.

Gati tre vite pas shkëputjes nga puna në Prishtinë, si pasojë e egos që s’e përballoi faktin se pushteti po humbte edhe përbrenda e jo vetëm nga jashtë, jeta më gjen në Tiranë. Këtu po ndërtoj familjen time, dhe prej këtu, çdo ditë e më shumë, e shoh më qartë sa shumë mundësi ka humbë Prishtina. Jo prej mungesës së potencialit, por prej fokusit të gabuar, prej prioriteteve të gabuara. Ne e kishim shansin për me bo shumë më tepër edhe e humbëm. Nga këtu, jam krenare që isha pjesë e ekipit të tij.

Urani ka qenë spiranca ime në qeverisjen në Prishtinë.
Isha e vërtetë secilën herë, ndonjëherë edhe kundër partnerit qeverisës, kur e mira publike ishte më e madhe se ne të gjithë. Sepse kisha Uranin mentor dhe shtyllë.
E kishim shumë të qartë misionin që e filluam. Prandaj, misioni vazhdon.

Kur u shkarkova, zgjodha me heshtë. Jo pse s’kisha çka me thanë, por sepse besova që koha do ta tregojë vetë të vërtetën. Nuk kam nevojë me u mbrojtë prej saj. Sot ajo është shumë e qartë: ajo që po shihet si rezultat sot, nuk është rezultati që meritojmë. Është fasadë, dhe gati gati edhe delirium nga humbja e mundshme e pushtetit.

Urani e ka mision jetësor me e bo Prishtinën funksionale, një herë e mirë. Që pastaj bashkë me e çu në fazën tjetër: për andrra të mëdha. Prandaj rikandidon. Jo çdokush i hyn kësaj gare aspak të lehtë prapë. Prioritetet e tij janë prioritetet e secilit prej nesh. Ai i din, i njeh, i realizon dhe nuk na ndryshon fjalët nesër.

Jepja vetes mundësinë me pa Prishtinën me Uran Ismaili kryetar. S’keni me u pendu, përkundrazi. Unë e di çka mundet me i dhanë këtij qyteti. E kam pa nga afër. E kam përjetu me dinjitet e krenari. Prandaj jam e bindur që ky është momenti i tij dhe kjo është koha për Prishtinën.

💙

https://www.facebook.com/share/p/17VtfMi4RX/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agron Kuçi, kandidat për kryetar të Junikut nga AAK-ja Bashkqytetarë…