Ish-oficeri britanik: Kosova, nuk mund të përballojë humbjen e miqve dhe aleatëve e saj të besuar

02 tetor 2025 | 21:36

Ish-oficeri britanik Ade Clewlow, i pyetur për veprimet konkrete që duhet të ndërmarrë Qeveria Kurti për rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në, thekson se për Kosovën është jetike të forcojë marrëdhëniet me aleatët kryesorë ndërkombëtarë dhe të rivendosë miqësitë e besueshme.

Ai për GazetaBlic nënvizon se bashkëpunimi i ngushtë me partnerët që mbështesin aspiratat ndërkombëtare të Kosovës nuk është thjesht një opsion, por një domosdoshmëri për të siguruar një të ardhme të begatë për vendin.

“Kosovës i duhen miq në komunitetin ndërkombëtar dhe rivendosja e marrëdhënieve të ngushta të bashkëpunimit me aleatët kyç është thelbësore për të siguruar një të ardhme të begatë për vendin. Bashkëpunimi me ata aleatë, të cilët janë të përkushtuar për të mbështetur aspiratat ndërkombëtare të Kosovës, nuk është një zgjedhje, është domosdoshmëri”, tha ai.

Po ashtu, ish-oficeri britanik thekson se sfida më e madhe mbetet balancimi i prioriteteve kombëtare me mbështetjen ndërkombëtare, që ndonëse i vështirë, është rruga për një dialog më të hapur dhe bashkëpunues.

Ai paralajmëron se Kosova nuk mund të përballojë largimin e miqve dhe partnerëve të saj më të besuar.

“Balancimi i prioriteteve kombëtare me mbështetjen ndërkombëtare gjithmonë do të jetë i vështirë, por kjo është rruga që do të çojë drejt një dialogu më të hapur dhe bashkëpunues. Kosovës i duhen ‘kampionë’ nga brenda Evropës dhe komuniteti më i gjerë ndërkombëtar; nuk mund të përballojë të largojë miqtë dhe partnerët e saj të besuar”, përfundoi ai për GazetaBlic.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Udhëheqja e BE-së duket se është e vendosur ta shtyjë…