
Ish-presidenti francez shkon në burg
Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, është dërguar në qelinë e tij për të filluar vuajtjen e dënimit me 5 vite burg, pasi u shpall fajtor për konspiracion lidhur me financimin e fushatës së tij zgjedhore me para nga diktatori libian Muammar Gaddafi.
Ai është ish-presidenti i parë francez që shkon në burg që pas udhëheqësit kolaboracionist nazist të Luftës së Dytë Botërore, Philippe Pétain, i cili u burgos për tradhti në vitin 1945. Sarkozy, i cili udhëhoqi Francën nga viti 2007 deri në 2012, ka apeluar kundër vendimit të gjykatës në burgun La Santé, por do të duhet të presë për vendimin e apelit pas hekurave. Më shumë se 100 persona qëndruan jashtë burgut për të treguar mbështetje, pas thirrjes së djalit të tij, Louis Sarkozy.
Sipas mediave franceze, ish-presidenti do të qëndrojë në një qeli me sipërfaqe rreth 9 metra katrorë, në krahun e izolimit të burgut historik La Santé, i ndërtuar në shekullin e 19-të. Nicolas Sarkozy, 70 vjeç, ka thënë se nuk dëshiron trajtim të veçantë, megjithëse është vendosur në seksionin e izolimit për sigurinë e tij, pasi të burgosurit e tjerë janë trafikantë droge të njohur ose janë dënuar për vepra terroriste.
Më 25 shtator, Gjykata Penale e Parisit e dënoi ish-presidentin me pesë vjet burg, pasi u shpall fajtor për lejimin me vetëdije të kolegëve të tij, Claude Guéant dhe Brice Hortefeux, të takoheshin në Tripoli me një zyrtar të lartë të regjimit të Gaddafit për të diskutuar financimin sekret të fushatës presidenciale të vitit 2007.