Ish-presidenti i FboxK-së, Ramadan Selimi, kërkon mirëmbajtjen e fotografisë së Adem Jasharit në Pallatin e Rinisë
Reagim publik nga ish-presidenti i FboxK-s, Ramadan Selimi:
Është e papranueshme që fotografia e Adem Jasharit para Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, e vendosur në vitin 2003 me shumë mund dhe përkushtim, sot të jetë lënë në harresë dhe pa asnjë përkujdesje institucionale. Kjo nuk është thjesht neglizhencë, është mungesë respekti ndaj figurës më të madhe të historisë sonë të re. Në kryeqytetin e Kosovës, fotografia e Komandantit nuk guxon të mbetet në mëshirën e kohës dhe indiferencës. U bëj thirrje Federatës së Boksit dhe menaxhmentit të Pallatit që urgjentisht të ndërmarrin hapa për restaurimin dhe mirëmbajtjen e saj. Respekti për Adem Jashari nuk dëshmohet me fjalë, por me vepra.
HISTORIKU I VENDOSJES SE FOTOGRAFISË
Ishte viti 2003 kur, me rastin e Turneut Ndërkombëtar të Boksit “Adem Jashari”, u vendos fotografia madhështore e Komandantit para Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Në atë kohë, unë isha kryetar i Federatës së Boksit të Kosovës dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit Organizativ të Turneut. Vendosja e kësaj fotografie me përmasa 4×8 metra nuk ishte aspak e lehtë. U përballëm me vështirësi të shumta për të gjetur një shtypshkronjë që mund ta realizonte, derisa më në fund u bë e mundur në Shkup. Por sfidat nuk përfunduan me kaq. Pas përfundimit të turneut, pati përpjekje serioze për largimin e saj, si nga përfaqësues të UNMIK-ut, ashtu edhe nga drejtori vendorë i Pallatit, me arsyetimin absurd se “qendra sportive nuk duhet të ketë figura luftëtarësh”. Në një takim të thirrur për këtë çështje, më kërkuan që fotografia të hiqej. Qëndrimi im ishte i prerë: mbasi pallati i Rinisë mbante emrin e dy luftëtarëve që nga LNÇ Boro dhe Ramizi dhe nuk e pengonte ketë qëndër te sportive, pse ta pengonte figura e Komandantit të UÇK-së. A nuk ishin edhe ata figura të luftës? Pas kësaj, në mënyrë demonstrative, u largova nga takimi. Jashtë zyrës së takimit përballë gazetarëve, dhashë një përgjigje që edhe sot mbetet domethënëse: “Prishtina është aq e vogël sa nuk ka vend për një fotografi të Komandantit tonë, Adem Jashari.”
Megjithatë, fotografia mbeti dhe vazhdon të jetë aty edhe sot. Por fatkeqësisht, pa përkujdesje institucionale që nga viti 2018 kur unë përfundova mandatin si kryetar i Federatës se Boksit, askush nuk merret më me mirëmbajtjen e saj. Kjo është përgjegjësi e përbashkët e Federatës së Boksit dhe menaxhmentit të Pallatit.
Gjatë mandatit tim, kam ndërmarrë edhe një iniciativë për riemërtimin e këtij objekti në “Pallati i Rinisë dhe Sporteve ‘Adem Jashari’’. Kjo iniciativë u mbështet nga shumë federata sportive, sportist elitar, shoqata intelektualësh dhe figura të njohura, dhe iu dorëzua Komunës së Prishtinës me nënshkrime në kohën e kryetarit Shpend Ahmeti, por asnjëherë nuk morëm përgjigje. Sot, kjo fotografi e vetmja që e paraqet Adem Jasharin në mënyrë të tillë në kryeqytet ka mbetur në mëshirën e kohës dhe të neglizhencës. Prishtina ka buste dhe lapidarë për shumë figura tjera kombëtare dhe ndërkombëtare te respektuara, por ende mungon përfaqësimi i denjë i kryekomandantit të UÇK-së ADEM JASHARI në Kryeqytet. Pra fotografia duhet të ruhet, të restaurohet dhe të trajtohet me nderimin që meriton.
Ramadan Selimi- ish president i FboxK



