Ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi, shpallet fajtor në rigjykim për rastin ‘Gylenistët’

24 shkurt 2026 | 11:00

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka shpallur fajtor ish-drejtorin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi, në rigjykim, duke e dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim.

Gashi u akuzua për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me dëbimin me forcë të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, veprime që u kryen jashtë procedurave ligjore. Përveç dënimit me burg, Gashit i është ndaluar të ushtrojë funksione publike për 4 vite pas ekzekutimit të dënimit.

Gjykata ka urdhëruar gjithashtu pagesën e shpenzimeve gjyqësore dhe kontributin për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Gjykatësja Violeta Namani-Hajra ka theksuar se Gashi ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe nuk ka informuar autoritetet përkatëse si Presidentin, Kryeministrin dhe Kryeprokurorin e Shtetit për veprimet e kryera.

Rigjykimi u zhvillua kryesisht në seanca të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Paraprakisht, më 19 korrik 2023, Gjykata Themelore e kishte shpallur Gashin fajtor dhe e kishte dënuar me 4 vite e 8 muaj burgim, ndërsa dy të akuzuarit tjerë, Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylemani, ishin liruar.

Në dhjetor 2024, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim vetëm për Driton Gashin, duke konfirmuar lirimin e dy të tjerëve.

Sipas aktakuzës, Gashi akuzohet se, si drejtues i AKI-së, ka tejkaluar kompetencat duke angazhuar agjencinë në deportimin e shtetasve turq, pa respektuar procedurat ligjore dhe pa njoftuar institucionet e larta të Kosovës. Prokuroria e ngarkon atë për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Dy të tjerët, Krasniqi dhe Sylejmani, akuzohen gjithashtu për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me dëbimin e shtetasve turq, duke shkelur të drejtat e tyre për qëndrim dhe punë në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franco Mastantuono mund të largohet nga Real Madrid gjatë verës,…