Ish-shefi i fushatës së Trumpit dënohet me 43 muaj të tjerë burgim

13 mars 2019 | 18:04

Paul Manafort, ish-shefi i fushatës presidenciale të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është dënuar me 43 muaj burgim, nën akuza që rrjedhin si pasojë e hetimeve që janë duke u bërë për Rusinë në ShBA.

Dënimi është shqiptuar nga gjykatësja amerikane, Amy Berman Jackson në Uashington, pas pranimit të fajësisë së Manafortit një vjet më parë për dy akuza të lidhura me komplot, duke përfshirë aktivitetin e tij lobues për politikanë pro-rusë të Ukrainës, duke përmendur ish-presidentin ukrainas, Viktor Yanukovych.

Më 2014 Yanukovych është detyruar të largohet nga zyra pas protestave masive, dhe ka ikur në Rusi.

Ky dënim vjen një javë pasi 69-vjeçari është ndëshkuar me 47 muaj burgim për mashtrime me taksa, në një tjetër rast.

Manafort ka thënë në gjykatë se dëshiron të kërkojë falje për veprat e tij.

“Më vjen keq për atë që kam bërë dhe për të gjitha veprimet që na janë sjellë këtu sot”, ka thënë ai, teksa ka folur nga një karrige e invalidëve.

Ndërkohë hetimet rreth Rusisë, në udhëheqje të këshilltarit special, Robert Mueller janë duke vazhduar për të vërtetuar nëse ka pasur ndonjë bashkëpunim mes fushatës së Trumpit dhe Rusisë, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në ShBA.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale Serbe (SLS), Sllobodan Petroviq,…