Ish-shefi i kabinetit të Kurtit rehatohet në krye të në një agjencie shtetërore
Katër muaj pasi u largua nga posti i Shefit të Stafit të Kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi është shpallur fitues i konkursit për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Investime dhe Eksport, institucion që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Procedura e rekrutimit për “rehatimin” e Dalipit këtë pozitë është zhvilluar gjatë muajit qershor.
Më 5 qershor 2026, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Digjitalizimit publikoi listën e kandidatëve që kishin kaluar testin me shkrim për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Investime dhe Eksport.
Sipas dokumentit Luan Dalipi ka dalë i pari, duke u vlerësuar me 80.6 pikë.
Ligji Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik përcakton qartë kufizimet për zyrtarët e lartë pas largimit nga funksioni.
Neni për “Kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike” thotë se zyrtari i lartë nuk ka drejt të punësohet brenda dy viteve.
“Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese”.
Gjatë muajit shkurt, vetë Dalipi kishte njoftuar largimin nga pozita e Shefit të Stafit të Kryeministrit, pas rreth pesë vjet e gjysmë në krye të kabinetit të Kurtit.
“Çfarë periudhe fantastike kanë qenë këto rreth 5 vite e gjysmë si Shef i Stafit të Kryeministrit (Kurti 1 dhe 2)”, kishte shkruar Dalipi në Facebook.
Në të njëjtin postim ai kishte përshkruar rolin e tij në koordinimin e institucioneve shtetërore.
“Ndërtimin dhe zbatimin e mjeteve/metodologjive për koordinimin e planifikimit mbarëqeveritar, si dhe për monitorimin dhe vlerësimin e performancës qeveritare.”





