Ish-themeluesi i LDK-së, Milazim Krasniqi: Kritika të ashpra ndaj udhëheqjes pas vdekjes së Rugovës

21 janar 2026 | 21:09

Një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Milazim Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj qasjes së udhëheqjes së partisë pas vdekjes së ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, duke e cilësuar atë si të dëmshme për vetë LDK-në.

Sipas Krasniqit, përpjekja e vazhdueshme për ta mitizuar Rugovën dhe për ta shkëputur figurën e tij nga realiteti politik dhe shoqëror ka sjellë pasoja serioze për partinë. Ai thekson se duke injoruar themeluesit e LDK-së dhe kontributin e mijëra aktivistëve, udhëheqja aktuale “e ka prerë degën në të cilën ka qëndruar”.

“Kreu i LDK-së, duke na etiketuar dhe luftuar ne, miqtë dhe bashkëpunëtorët e Rugovës, e ka lënë partinë pa dëshmitarë dhe pa dëshmi të historisë së saj,” shkruan Krasniqi. Sipas tij, kjo qasje ka bërë që një pjesë e elektoratit dhe e historisë së LDK-së t’u “vidhet” nga mashtruesit dhe të përfundojë në Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai shton se e njëjta mendësi u manifestua edhe në këtë përvjetor, duke e cilësuar këtë si një gabim të rëndë. “LDK pa emrat e themeluesve të saj dhe pa kontributet e mijëra njerëzve nuk mund të qëndrojë në këmbë,” thekson ai.

Krasniqi akuzon udhëheqjet e deritanishme të LDK-së për hipokrizi politike, duke thënë se në emër të dashurisë për Rugovën janë luftuar bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij më të afërt. “Kë po luftoni? Ata që e bënë Rugovën të jetë ai që ishte. Pa ne, ai nuk do të ishte lideri historik që u bë,” shkruan ai.

Në fund, Krasniqi paralajmëron se një LDK që mohon historinë dhe njerëzit e saj përfundon “e gjunjëzuar në prehërin e armiqve ideologjikë të Rugovës”, duke theksuar se nuk ka histori të Rugovës pa kontributin e mijëra njerëzve që punuan natë e ditë deri në çlirimin e Kosovës. “Merrni vesh!”, përfundon reagimin e tij Milazim Krasniqi.

(21 janar 2026)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
15 vite pas zhdukjes misterioze që tronditi opinionin publik shqiptar,…