Ish-ylli i Chelseat Oscar i jep fund karrierës, pas problemeve me zemër
Futbollisti brazilian Oscar (34) është detyruar t’i japë fund karrierës së tij pasi u shtrua në spital për shkak të problemeve me zemrën. Ish-ylli i Chelseat u shtrua në spital dje pasi u ankua se nuk ndihej mirë, dhe lajmi i fundit është se ai do të duhet t’i japë fund karrierës së tij dhe të përqendrohet në rikuperim për shkak të problemeve me zemrën.
Siç raportohet nga Daily Mail, Oscarit i ra të fikët gjatë stërvitjes, më saktësisht ndërsa përdorte një biçikletë stërvitjeje gjatë përgatitjeve me klubin brazilian Sao Paulo.
Oscar ishte një yll i madh për Chelsean dhjetë vjet më parë, por në kulmin e tij, kur ishte vetëm 25 vjeç, vendosi të largohej nga Blues dhe të shkonte në Kinë.
Sigurisht, ai më pas u zhduk nga harta e futbollit dhe ra në harresë midis shumë tifozëve.
Sipas Global Esporte, Oscar tregoi shenja të një anomalie në zemër gjatë testeve para se të kthehej në fushë pas një dëmtimi. Mediat raportojnë se mjekët në Sao Paulo kanë vlerësuar se mesfushori është i aftë të kthehet në fushë.
Oscar u kthye në Sao Paulo në janar të këtij viti pas tetë vitesh në klubin kinez Shanghai SIPG, dhe më parë luajti për Internacional përveç Chelseat.
Ai ishte dy herë kampion i Anglisë me Chelsean dhe një herë fitoi Ligën e Evropës me “Blutë e Londrës”. Ai ka bërë 48 paraqitje për Brazilin, duke shënuar 12 gola.



