Ish-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit thotë se Izraeli ka kryer krime lufte

02 qershor 2025 | 16:24

Ish-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Matthew Miller, i cili ka shërbyer në administratën e ish-presidentit Joe Biden, ka thënë se ushtarë individual të Izraelit “pa asnjë dyshim” kanë kryer krime lufte gjatë luftimeve kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

“Nuk mendoj se është gjenocid, por mendoj se është pa asnjë dyshim e vërtetë se Izraeli ka kryer krime lufte” – i tha amerikane televizionit “Sky News”, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Kur intervistuesi i tha se ai “nuk do ta kishte thënë këtë në foltore, Milleri iu përgjigj: “Kur je në foltore, nuk je duke e shprehur mendimin tënd personal, je duke i shprehur konkluzionet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk kishte konkluduar se ata [izraelitët] kanë kryer krime lufte – ende nuk e kanë konkluduar këtë.”

Ai më tej sqaroi se është “pyetje e hapur” ajo nëse shteti ka kryer krime lufte, por thotë se “qartazi nuk është pyetje e hapur që ka pasur incidente individuale që kanë qenë krime lufte, ku ushtarë izraelitë – pjesëtarë të ushtrisë izraelite – kanë kryer krime lufte”, duke shtuar se Izraeli ka hapur hetime për incidentet e tilla.

“Por kanë kaluar shumë muaj që nga fillimi i atyre hetimeve dhe ne nuk po shohim ushtarë izraelitë që po mbahen përgjegjës” – shtoi ish-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Milleri shtoi se demokracitë gjykohen nga mënyra se si ato i mbajnë përgjegjës individët që kryejnë krime lufte gjatë konfliktit dhe se Izraeli ende nuk ka bërë mjaftueshëm në këtë drejtim.

Izraeli mohon se ka kryer krime lufte në Gaza gjatë konfliktit që po vazhdon, duke thënë se bën përpjekje që ta minimizojë numrin e viktimave civile, duke e akuzuar Hamasin për përdorim të civilëve të Gazës si mburoja njerëzore, duke luftuar nga zona civile, përfshirë shtëpi, spitale, shkolla e xhami./Nacionale

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
La Liga ka shpallur trajnerin më të mirë të sezonit,…