Ishte i “pastrehë”, por kapet me Ferrari, skandali që po trondit Francën (VIDEO)
Policia franceze u trondit kur zbuloi se burri që kishin kapur duke tejkaluar shpejtësinë në një Ferrari të kuq, ishte zyrtarisht një person i varfër dhe i pastrehë.
Kur policia rrugore në rajonin Vaucluse ndaloi shoferin për shpejtësi të lartë në Ferrari-n e tij të kuq të serisë Portofino me gati 250 km/h, oficerët nuk prisnin që ai të ishte i pastrehë dhe pa asnjë të ardhur të deklaruar në emër të tij.
Gjatë marrjes në pyetje, burri i cili ishte veshur shumë mirë, u tha oficerëve se nuk kishte punë, pasuri apo të ardhura. Nuk ndodh çdo ditë që policia franceze të ndalojë një makinë sportive me vlerë rreth 200.000 euro, por një makinë e drejtuar nga një person i pastrehë? Në fat, kjo nuk ndodh kurrë.
E megjithatë kjo ka ndodhur, pasi një kontroll i shpejtë zbuloi se personi pas timonit të Ferrarit kishte marrë ndihmë sociale për vite me radhë. I pyetur se kujt i përkiste makina, shoferi deklaroi se ishte e nënës së tij, por të dhënat treguan se mjeti ishte regjistruar nga një kompani pasurish të paluajtshme, e menaxhuar nga i dyshuari, nëna e tij dhe dy vëllezërit e motrat.
Një hetim i mëvonshëm zbuloi një skemë komplekse për përvetësimin e fondeve shtetërore dhe shmangien e taksave përmes fshehjes së të ardhurave. Shoferi dhe familja e tij bënin një jetë luksoze, me blerje të shtrenjta dhe udhëtime në destinacione luksoze.

Ndërkohë, “në letër” ata ishin deklaruar të papunë dhe të paaftë për të paguar faturat, duke përfituar kështu ndihmë financiare nga CAF (fondi francez i ndihmave familjare). Pavarësisht fitimeve të konsiderueshme nga biznesi i pasurive të paluajtshme, asnjë e ardhur nuk ishte deklaruar apo taksuar.
Në total, mashtruesit dyshohet se përvetësuan të paktën 1.8 milion euro ndihmë sociale, përveç 1.6 milion eurove të tjera të ardhura të padeklaruara. Familja u arrestua pas një sërë bastisjesh dhe do të gjykohet së shpejti në Draguignan për “punë të padeklaruar, pastrim parash, keqpërdorim të aseteve të kompanisë dhe mashtrim”.



