
Ismaili për Specialen: Kosova është në peshoren e drejtësisë, do të dalim triumfues
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka folur edhe për zhvillimet e fundit të Gjykatës Speciale, e cila së fundmi ka ngritur aktakuzë ndaj ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kreut të PDK-së, Kadri Veselit, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimit dhe ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi.
Ai ka thënë se në peshoren e drejtësisë është e gjithë Kosova, dhe se të gjithë duhet të jenë të përgjegjshëm për ta mbrojtur historinë e vendit tonë.
“Rreth dy javë më parë ndalesa që ju bë themeluesve të UÇK-së, preku zemrat e të gjithëve, si dhe morri vëmendjen e gjithë shqiptarëve. Edhe sot ata janë bashkë me ju dhe ndajnë krenarinë që e keni për ata. Ne jemi krenar me të gjithë ish-bashkëluftëtarët tanë, siç kemi qenë gjithmonë. Ne do të jemi së bashku me ju”, ka thënë ai.
Ismaili ka thënë se si deputet duhet të reflektojnë dhe kuptojnë drejtë se fati i ushtarëve është bërthama e përpjekjeve për liri, pavarësi dhe shtet.
“Shqiptarët po shohin një koordinim të Serbisë dhe Rusisë që të fabrikojnë fakte për ta njollosur luftën tonë. Ish-ushtarët e UÇK-së kanë sakrifikuar shumë, dhe jam i bindur që edhe në këtë betejë do të dalin triumfues dhe krenar, duke e mbrojtur Kosovën”, ka shtuar ai.