Ismajli: Abdullah Tahiri u flijua për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës

17 janar 2020 | 15:01

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, së bashku me kryesuesen e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi-Emini dhe drejtorët komunalë, kanë bërë homazhe tek lapidari i heroit të kombit, Abdullah Tahiri, në Malishevë të kësaj komune.

Me këtë rast, Ismajli ka thënë se Abdullah Tahiri është flijuar për lirinë e Kosovës. “Këtë vit, ‘Flaka e Janarit’ i kushtohet dëshmorit të kombit Abdullah Tahiri, i cili u flijua për lirinë, pavarësinë dhe çlirimin e Kosovës.

Tash e tutje, ai do të jetë në piedestalin më të lartë të lirisë, pasi do të vendoset shtatorja e tij sivjet, në vendin ku është arrestuar. Është njëra nga figurat më të rëndësishme historike, jo vetëm të Anamoravës, por të gjithë popullit shqiptar. Lavdi e përjetshme veprës së tij”, ka deklaruar Ismajli.

Ndërsa kryetari i Këshillit të fshatit Malishevë, Latif Maliqi, ka falënderuar kryetarin Haziri që manifestimin “Flaka e Janarit 2020”, ia ka dedikuar heroit Abdullah Tahiri.

Ndërkohë, nënkryetari Ismajli ka vizituar edhe familjen e heroit Kadri Zeka, në 38-vjetorin e rënies, ku është pritur nga Shaip Zeka.

Ismajli në emër të kryetarit Haziri ka konfirmuar se sivjet do të vendoset edhe shtatorja e heroit Kadri Zeka në një vend meritor në Gjilan.

Përfaqësuesi i familjes Zeka, Shaip Zeka, e ka falënderuar kryetarin Haziri dhe nënkryetarin Ismajli për nderin që ia kanë bërë familjes së tij me vizitën dhe lajmin për vendosjen e shtatores.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Braziliani Ronaldinho ishte një prej futbollistëve më të dashur deri…