Istrefi: Punëtorët e Telekomit nuk do të dëmtohen me Ligjin e pagave

10 nëntor 2019 | 16:28

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka bërë me dije se punëtorët e telekomit nuk do të dëmtohen nga Ligji i pagave, i cili pritet të zbatohet nga muaji i ardhshëm.

Istrefi ka thënë për “Kosovapress” se deri në këtë muaj e ka pasur pagën 4 mijë e 450 euro, ndërsa nga dhjetori do ta ketë pagën 1 mijë e 673 euro.

“I siguroj punëtorët e Telekomit se me ligjin e pagave nuk do të dëmtohen. Nuk do të marr asnjë herë vendim ku përmes implementimit të këtij ligji të pagave që të dëmtohen punëtorët. Është fakt që vija e parë e menaxhmentit të lartë preket, mirëpo në situatën në të cilën jam, unë kam kërkuar edhe më herët që të kemi ulje të pagave qysh në muajin mars të vitit 2019. Të bëjmë ulje të pagave për shkak të domosdoshmërisë në të cilën ndodhet pjesa teknike që duhet të bëjmë investime patjetër”, ka thënë Istrefi.

Më tutje, Istrefi ka folur edhe për gjendjen në Telekom pas padisë që “Z-Mobile” ka ushtruar në arbitrazh për 13.5 milionë euro dëmshpërblim.

Ai ka theksuar se Telekomi do të përfaqësohet në arbitrazh nga një ndër dhjetë kompanitë më serioze ndërkombëtare që është në proces të përzgjedhjes, por nuk ka treguar shumën e mjeteve që do ta ndahen për këtë kompani.

“Jemi në fazën procesit të prokurimit. Janë duke përfunduar proceset për ofertat ndaj këtyre operatorëve apo këtyre kompanive ndërkombëtare. Mirëpo duke pasur parasysh tregun aktual, hulumtimet të cilat i kemi bërë, kemi ndarë buxhet të konsoliduar dhe mjaftueshëm në këtë rast, në mënyrë që të arrijmë t’i mbrojmë interesat e Telekomit dhe të Kosovës. Shpresoj dhe i siguroj edhe qeverinë, edhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që vendimet të cilat ne i kemi marrë në raport me ‘Dardafon’-in kanë qenë vendime të bazuara në baza ligjore dhe ato financiare. Ndaj, vendimet që i kemi marrë do të mbrohen në arbitrazh dhe do dëshmohen që kemi pasur të drejtë që t’i marrim këto vendime dhe do ta fitojmë si proces”, ka thënë Istrefi.

Ndërsa duke folur për vendimin e më hershëm të arbitrazhit ku Telekomi obligohet të ia paguaj 25 milionë euro “Z-Mobile”, ka thënë se është në proces për të parandaluar bllokimin e llogarive të kompanisë nga përmbaruesit. Deri më tani borxhet e kësaj kompanie ndaj ATK-së, ishin 2.8 milionë euro, ndërsa borxhet e tërësishme arrijnë mbi 30 milionë euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe…