Italia, bindëse ndaj Turqisë

11 qershor 2021 | 22:56

Italia e ka nisur në mënyrën më spektakolare të mundshme “Euro 2020”. Skuadra e Mancinit vijon formën mjaft të mirë, duke fituar me lehtësi 3-0 sfidën hapëse të Evropianit kundër Turqisë. Fraksioni i parë nuk ishte aspak i thjeshtë për “Të Kaltrit” që vuajnë gjetjen e golit. Në minutën e 18-të, Lorenzo Insigne krijoi një shans të artë, por për fatin e tij të keq goditja shkoi jashtë kuadratit.

Disa minuta më pas Chiellini u ndal nga një pritje e bukur e portierit Cakir. Italia nuk u ndal me kaq, pasi edhe Barella dhe Immobile vendosën në provë portierin turk. Fati ishte me Turqinë në 45 minutat e para, ndërkohë që Donnarumma në krahun tjetër ishte një spektatorë. Pjesa e dytë nis me dy ndryshime. Turqia aktivizon Cengiz Under për t’i dhënë më shumë befasi aksioneve sulmuese, ndërkohë që Italia i beson krahun e djathtë Di Lorenzos. Ekipi i Mancinit nuk ndalet me aksionet sulmuese dhe rastet, por këtë herë goli nuk do të vononte shumë. Në minutën e 53-të, pas një aksioni të bukur të Berardit, Demiral devijon topin në kuadratin e tij, teksa fati këtë herë i doli kundër.

Mbrojtësi i Juventusit tentoi të largonte topin nga zona, por pozicioni ishte shumë i vështirë. Italia luan bukur, duke merituar edhe goli e dytë. Në minutën e 66-të, pas një aksioni fantastik të ekipit të Mancinit, Spinazzola ndalet mjaft mirë nga Cakir, por më pas portieri e ka të pamundur për të ndalur Immobilen. Turqia nuk ka forcë reagimi, duke vuajtur shumë freskinë e italianëve dhe lojën e shpejtë të tyre.

Në minutën e 79-të, skuadra e Mancinit shënoi dhe golin e tretë, me protagonist Insigne-n, që shfrytëzon më së miri hapësirat e mëdha në krahun e tij, duke vulosur fatin e kësaj ndeshje hapëse. Mancini e zëvendësoi menjëherë duke i dhënë mundësinë që të duartrokitet nga tifozët e pranishëm në “Olimpico”. Italia në këtë mënyrë vijon ecurinë e mrekullueshme, duke shënuar shumë gola dhe duke mos pësuar asnjë në sfidat e fundit. “Të Kaltrit” shihen si favoritë për të triumfuar në këtë edicion me këtë formë mjaft të mirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar pasi…