Italia në alarm për infermierë, mungojnë rreth 70 mijë

25 maj 2024 | 16:06

Italia është në alarm për mungesën e infermierëve dhe po përpiqet të gjejë në çdo cep të botës. Aktualisht, kërkohen rreth 70 mijë dhe me ardhjen e sezonit turistik problematika e infermierëve bëhet edhe më e mprehtë.

Sipas zyrtarëve, në 4 vitet e ardhshëm kuadri aktual prej rreth 460 mijë infermierësh do të humbasë mbi 100 mijë njësi për shkak të eksodit masiv të infermierëve nga spitalet italiane. Një humbje që tashmë prej vitit 2022 do të rëndojë mbi sistemin  shëndetësor me një mungesë prej rreth 65-70 mijë infermierësh.

Por situata paralajmërohet të përkeqësohet gjithnjë e më shumë, për shkak të pensioneve, dorëheqjeve, transferimeve jashtë vendit ku përfitimet ekonomike janë dukshëm më të larta se ato që i jepen personelit infermier italian.

Problemi lidhet edhe me faktin se në Itali nuk diplomohen mjaftueshëm infermierë. Në 10 vitet e fundit u diplomuan vetëm rreth 12 mijë në vit, shumë pak në krahasim me nevojat.

“Një bombë me sahat”, e konsideron sindikata e infermierëve situatën e mungesës së stafit e cila “është gati të shpërthejë në muajt e verës”. Ndër rajonet më në vështirësi, në vend të parë është Lombardia. Të dhënat dalin nga një sondazh i sindikatës së Infermierëve, i cili nxjerr në pah sesi në rajonet më të prekura nga fenomeni ka mesatarisht 12-13 pacientë për një infermier.

Një mesatare, e cila shkon shumë përtej asaj të maksimumit prej 6 pacientësh për të pasur kujdes shëndetësor cilësor dhe ekziston rreziku i shkurtimit të të paktën 10% të shtretërve për shkak të mungesës së stafit. Paga mesatare e infermierëve në Itali është 1,758 euro në muaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Protesta e paralajmëruar në territorin e Serbisë, afër pikë-kalimit kufitar…