
Italia vlerëson ndërhyrjen humanitare të KFOR-it në Ujman
Pas Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë, edhe ajo e Italisë ka reaguar mbi operacionin e kërkim-shpëtimit të kryer dje te liqeni i Ujmanit.
Ambasada e Italisë ka shprehur mbështetjen e saj të plotë për misionin e KFOR-it dhe komandantin e tij.
Në një reagim publik në “Facebook”, Ambasada e Italisë ka theksuar se komandanti i KFOR-it ka vepruar brenda kufijve të mandatit të tij, duke marrë parasysh rrethanat që kërkuan ndërhyrje urgjente për arsye humanitare.
“Ambasada e Italisë në Kosovë shpreh mbështetjen e saj të plotë për Misionin e KFOR-it dhe për Komandantin e KFOR-it, i cili veproi brenda kufijve të mandatit të tij, në dritën e rrethanave të pafat që bënë të nevojshme ndërhyrjen e ekipit për arsye humanitare. Prandaj, ambasada përsërit vlerësimin e saj të plotë për rolin pozitiv të luajtur prej kohësh nga misioni i KFOR-it në Kosovë”, është thënë në reagimin e Ambasadës së Italisë.
Ndryshe, trupi i pajetë i Rrahim Latifit, 33-vjeçar nga diaspora është gjetur dje nga FSK-ja pas dy ditësh kërkime.