Iu kapën mbi 260kg drogë, prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit S.J., mbi bazën e dyshimit se ai ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas prokurorisë, dyshohet se S.J. kishte për qëllim transportimin e substancave narkotike në një shtet tjetër. Gjatë kontrollit të kamionit, të cilin po e drejtonte i dyshuari, është gjetur dhe sekuestruar 268.44 kilogramë substancë narkotike e dyshuar marihuanë, e cila dyshohet se është importuar nga Republika e Shqipërisë, me destinacion shtetet e Bashkimit Evropian.
Prokuroria Speciale ka kërkuar që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimit prej një muaji, duke vlerësuar se ekziston rreziku që i dyshuari të arratiset dhe të pengojë rrjedhën e procedurës hetimore penale.



