
Izet Mexhiti tregon nëse është përfshirë në sigurimin e votave për Albin Kurtin
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, kërkon themelimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës.
Sipas tij, tejkalimi i ngërçit politik është në interes të shtetit dhe proceseve integruese, ndaj thekson nevojën për lëvizje përpara në këtë drejtim.
Ai për KosovaPress mohon përfshirjen e tij në sigurimin e votave për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryeparlamentare nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, përkundër pretendimeve të ngritura nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kuvendi i Kosovës dështoi për herë të 35-të të konstituojë legjislaturën e nëntë, ani pse kanë kaluar katër muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Mexhiti për KosovaPress thekson se ai nuk e njeh deputetin nga komuniteti goran, Adem Hoxha, për të cilin Haradinaj kishte deklaruar se Mexhiti i kishte kërkuar votë pro Haxhiut dhe Kurtit. Ndërkaq për deputeten nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ai deklaron se nuk ka pasur asnjë takim në lidhje me sigurimin e votës së saj për krijimin e shumicës parlamentare nga LV.
“Në interes të Kosovës, të shtetit dhe proceseve e bizneseve, uroj që sa më shpejt të tejkalohet ngërçi dhe të konstituohen institucionet dhe të ketë lëvizje përpara… Në Maqedoninë e Veriut ne kemi partneritet me zotëri Kurtin dhe unë jam prej kohësh në politikë. Kam miq në të gjitha subjektet politike dhe ajo që është përfolur për dy deputetët (Adem Hoxha dhe Duda Balje) nuk ka aspak të vërtetë. Njërin nuk e njoh fare dhe nuk jemi takuar, ndërkaq e ndjek zonjën Balje që tha se nuk kemi pasur asnjë takim në këtë drejtim. Të tjerat janë spekulime”, thotë ai.
Mexhiti flet gjithashtu për raportet ndërshtetërore dhe thekson se marrëdhëniet mes dy vendeve po thellohen. Ai përmend funksionalizimin e sistemit “One Stop Shop” në pikat kufitare në Bllacë dhe Jazhincë.
Sipas tij, ky sistem shumë shpejt do të aplikohet edhe me Serbinë, ku do të përfitojnë edhe qytetarët nga Lugina e Preshevës, si dhe Shqipërinë.
“Republika e Maqedonisë së Veriut, me shtetin e parë që e implementon “One Stop Shop”, është me Kosovën. Në dy pikat kufitare në Bllacë dhe Jazhincë, sidomos në Bllacë që është pika më e frekuentuar, ka vetëm një kontroll në hyrje dhe pritjet e gjata nuk janë më problem. Është mundësuar lëvizja e lirë e qytetarëve dhe kjo ka ndikuar në komunikim dhe lëvizje më të shpeshta mes qytetarëve të dy vendeve. Këto ditë “One Stop Shop” do të implementohet edhe me Serbinë, gjë që është e rëndësishme për Luginën e Preshevës, si dhe për Shqipërinë”, tha Mexhiti.
Mexhiti sqaron se Qeveria në Shkup ende nuk ka marrë vendim zyrtar që ish-ushtarët e UÇK-së, për të cilët Serbia ka lëshuar flet-arrest përmes Interpolit, të mos arrestohen në Maqedoninë e Veriut.
Ai shton se koalicioni qeverisës ka marrëveshje politike dhe se shumë shpejt vendimi do të merret në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme apo ekzekutivit që të aplikohet një zgjidhje sistemore, ligjore dhe e përhershme që ish-ushtarët e UÇK-së të mos ndalohen në kufijtë e Maqedonisë së Veriut.
Për shkak që Kosova nuk është anëtare e Interpol, Serbia, vazhdimisht i përditëson listat me ish-ushtarë të UÇK-së në këtë institucion të sigurisë, gjoja për “krime lufte”. Për shkak të kësaj, në korrik 2024, në Jazhincë, bazuar në një flet-arrest nga Serbia përmes Intepolit, me pretendimin për krime lufte, është arrestuar ish- ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani.