Izmi Zeka: Ligji për pagat nuk duhet t’i diskriminojë mësimdhënësit

09 janar 2019 | 14:06

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se ligji për pagat nuk duhet t’i diskriminojë mësimdhënësit.

“Po shkruaj në cilësinë e qytetarit të thjesht rreth koeficientit të pagave të mësimdhënësve të ciklit parafillor, fillor dhe të mesëm. Është krejt e pakuptimtë që një profesor i shkollës fillore dhe mesme të ketë pagën e balancuar me një person kudo qoftë ai në administratë, komunë apo kudo, që ta ketë koeficientin e barasvlershëm me kuadrot që përgatisin superstrukturën e ardhshme të Republikës së Kosovës. Ndaj edhe kryeministri dhe ministri i Financave duhet të kenë konsideratë ndaj kësaj shtrese që është elitare por edhe siguri për të ardhmen e të gjitha proceseve lëvizëse në Kosovë”, ka shkruar Zeka.

Ai ka theksuar se është moment i mirë që mësimdhënësit të kenë pagë të dinjitetshme. “Në mënyrë që puna e tyre të jetë në harmoni edhe me institucionet tjera me përgatitje superiore. E ardhmja e një kombi varet sa investojmë në arsimin. Kjo që e thash tani nuk është e zbuluar nga unë por nga të gjitha analizat shkencore të botës së përparuar”, ka thënë Zeka.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ngurrimin për të konfirmuar propozimet e kryeministrit Edi Rama për…