
Izraeli do t’i dëbojë aktivistët që u munduan të hynin me anije në Gaza, përfshirë Thunbergun
Një grup i aktivistëve – përfshirë aktivisten e njohur suedeze, Greta Thunberg – të cilët ishin ndaluar në një anije ndihmash që ishte nisur për në Gaza, janë dërguar në një aeroport në Tel Aviv për t’u dëbuar, thanë të martën autoritetet izraelite.
Anija që po bartte 12 persona që po mundoheshin të dërgonin sasi simbolike të ndihmave humanitare në Gaza u përcoll deri në qytetin bregdetar izraelit, Ashdod, të hënën, pasi ishte marrë nën kontroll nga forcat izraelite.
Duke e cilësuar atë si “jaht të selfie-ve”, Izraeli tha se pasagjerët kishin arritur në aeroportin “Ben Hurion” për t’u kthyer në vendet e tyre, raporton televizioni BBC.
“Ata që refuzojnë që t’i nënshkruajnë dokumentet e dëbimit dhe të largohen nga Izraeli do të sillen para një autoriteti gjyqësor” – tha në rrjetin X Ministria e Jashtme e Izraelit.
Koalicioni i Flotës së Lirisë (FFC), grup aktivistësh që e operonte anijen, tha se të gjithë anëtarët e ekuipazhit po transferoheshin në ndalim të autoriteteve izraelite.
“Atyre mund t’u lejohet fluturimi nga Tel Avivi që sonte” – tha ky grup në rrjete sociale.