Izraeli dyshon se Irani qëndron prapa shpërthimit në anijen izraelite

28 shkurt 2021 | 12:50

Liderët politikë dhe ata të mbrojtjes së Izraelit pritet të takohen të dielën për të biseduar lidhur me përgjigjen ndaj sulmit, që sipas ministrit izraelit të Mbrojtjes “me gjasë” është kryer nga Irani kundër një anijeje kargo të Izraelit në Gjirin e Omanit.

Televizioni shtetëror “Kan” ka cituar një zyrtar izraelit të ketë thënë se Irani ka kaluar “vijën e kuqe” lidhur me shpërthimin e 25 shkurtit, në anijen MV Helios Ray.

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Benny Gantz, ka thënë se me gjasë Irani qëndron prapa shpërthimit në anijen izraelite, e cila ishte duke lundruar nga porti saudit i Dammamit për në Singapor.

“Vendndodhja e anijesh është në afërsi të Iranit dhe besohet se Irani është përgjegjës, por kjo gjë duhet të verifikohet”, ka thënë ai për televizionin “Kan”.

Zyrtarët iranianë ende nuk janë përgjigjur për këto akuza.

Autoritetet izraelite kanë thënë se do të shkojnë në Dubai për të hetuar incidentin.

Irani e ka fajësuar Izraelin për vrasjen e një shkencëtari bërthamor në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe është zotuar se do të hakmerret.

Ministri Gantz ka thënë se është e ditur se Irani ka për synim që të sulmojë caqet izraelite.

Nga shpërthimi në këtë anije nuk ka pasur viktima, por ka pasur dëme materiale.

Shpërthimi ka ndodhur pothuajse në të njëjtën kohë kur Shtetet e Bashkuar më 25 shkurt sulmuan në Sirinë lindore grupet e milicive që mbështeten nga Irani. /Rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny raportohet se do ta vuajë…