
Izraeli mund të ketë kryer krime lufte në Gaza
Izraeli mund të ketë kryer krime lufte me fushatën e sivjetme të bombardimeve në Gazë.
“Human Rights Watch”, një nga organizatat me seli në Nju-Jork e cila vëzhgon situatën me respektimin e të drejtave e njeriut në botë, kërkoi të hënën prova nga ushtria izraelite se pse iu desh të sulmojë katër godina të banuara shumëkatëshe, të cilat kanë lënë me dhjetëra veta pa shtëpi, kanë dëmtuar pallatet ngjitur dhe dhjetëra biznese të territorit palestinez.
“Bombardimet e paligjshme izraelite, me sa duket, të katër kullave shumëkatëshe në qytetin e Gazës shkaktuan dëme të rënda, afatgjata për shumë palestinezë. Ushtria izraelite duhet të tregojë publikisht provat ku bazua për të kryer sulmet,” njoftoi organizata amerikane.
Pala izraelite u justifikua në muajin maj se iu desh të ndërhynte kundër grupit “Hamas” që qeveris zonën, pasi po i përdorte ndërtesat civile si mburoja për të planifikuar akte terroriste.
Një nga objektivat ishte kulla 12-katëshe e al-Xhalës ku punonin gazetarët e agjencive të huaja “The Associated Press” dhe “Al Jazeera”.
Ofensiva e majit u mbyll pas 11 ditësh me rreth 260 viktima në Gazë, mbi 100 fëmijë e gra, ndërsa 12 civilë u vranë në Izrael.
Sulmet me raketa filluan pak minuta pasi skadoi afati që militantët e Hamasit i kishin dhënë ushtrisë izraelite për largimin e trupave nga xhamia e Al-Aksës.
Organizata amerikane i kërkoi kohë më parë Gjykatës Penale Ndërkombëtare që ta hetojë Izraelin për krimet e kryera.
Tel-Avivi thotë se Gjykata nuk ka juridiksion për të dhe çdo gjykim do të ishte i padrejtë e politik./oranews/