
Izraeli ofron tërheqje nga pjesa më e madhe e Gazës, Hamasi refuzon propozimin
Delegacioni izraelit thuhet se ka paraqitur një propozim të ri për negociatat indirekte që synojnë shpalljen e një armëpushimi në Rripin e Gazës midis ushtrisë izraelite dhe Hamasit, sipas një mediumi izraelit.
Një raport nga Times of Israel, duke cituar një burim diplomatik arab, thotë se propozimi i ri parashikon një tërheqje nga më shumë zona të enklavës sesa më parë.
Negociatat indirekte që nga 6 korriku në Doha, kryeqytetin e Katarit, një vend që luan një rol ndërmjetësues së bashku me Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara, thuhet se janë në një bllokim, për të cilin palët po fajësojnë njëra-tjetrën.
Një çështje kyçe është shkalla e tërheqjes së trupave izraelite nga Rripi i Gazës , veçanërisht në jug.
Qeveria e Benjamin Netanyahut deri më tani ka këmbëngulur që njësitë ushtarake izraelite të mbeten të vendosura në zona të mëdha, duke përfshirë një zonë “neutrale” prej tre kilometrash përgjatë kufirit me Egjiptin, si dhe në të ashtuquajturin korridor Morag, i cili ndan Rafah nga Khan Yunis.
Hamasi, nga ana tjetër, kërkon që forcat e armatosura izraelite të tërhiqen në pozicionet që mbanin para se armëpushimi i mëparshëm të përfundonte në mars.
Sipas propozimit të ri, prania ushtarake e Izraelit do të kufizohej në një zonë “neutrale” me gjerësi 2 kilometra përgjatë kufirit jugor, pranë Rafah. Megjithatë, sipas burimeve diplomatike arabe, është e dyshimtë që propozimi të pranohet dhe të sjellë përparim.
Ai lidhet gjithashtu me një plan të qeverisë së kryeministrit për të krijuar një “qytet humanitar” përmes të cilit do të lehtësohet “largimi vullnetar” i banorëve të Rripit të Gazës në vende të tjera.
Kritikët e kësaj ideje flasin për një “kamp përqendrimi modern”, midis tyre paraardhësi i Netanyahut në detyrë, Ehud Olmert thotë: “Më falni, ky është një kamp përqendrimi”, i tha ai gazetës britanike Guardian, duke shtuar se është pjesë e një plani “spastrimi etnik”.
Ndërkohë, sipas një raporti në Times of Israel, Netanyahu thuhet se i ka premtuar ministrit të Ekonomisë të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, se do ta rifillojë luftën pas përfundimit të armëpushimit 60-ditor, në përpjekjen e tij për të mbajtur koalicionin e tij qeverisës në pushtet.
Në Nju Jork, Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, kritikoi përsëri vazhdimin e luftës. “Ne të gjithë i dënuam sulmet e tmerrshme nga Hamasi, por ajo që po shohim në Gaza është një nivel vdekjeje dhe shkatërrimi që nuk e kemi parë vitet e fundit”, theksoi ai.