
Izraeli rifillon armëpushimin dhe ndihmat për Gazën pas sulmeve që lanë 26 të vdekur
Pas një vale sulmesh ajrore që sipas autoriteteve palestineze lanë të paktën 26 të vdekur në Gaza, ushtria izraelite njoftoi se armëpushimi është rivendosur dhe ndihmat humanitare do të rifillojnë.
Sipas ushtrisë izraelite, sulmet ajrore u kryen pasi militantë palestinezë goditën me raketa antitank dhe armë zjarri trupat izraelite, duke vrarë dy ushtarë. Si kundërpërgjigje, Izraeli goditi disa objektiva të Hamasit në Gaza, përfshirë komandantë të terrenit, tunelë dhe depo armësh, shkruan Reuters.
Banorët lokalë dhe autoritetet shëndetësore në Gaza thanë se sulmet lanë të paktën 26 persona të vdekur, përfshirë një grua dhe një fëmijë. Një prej goditjeve ka prekur një shkollë të përdorur si strehë për të zhvendosurit në zonën e Nuseirat.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se armëpushimi që ai ndërmjetësoi është ende në fuqi dhe se udhëheqja e Hamasit mund të mos ketë qenë e përfshirë në sulmet e fundit.
Pas sulmeve, shumë banorë palestinezë në Khan Younis dhe Nuseirat nisën të largohen nga shtëpitë, nga frika e përshkallëzimit të dhunës.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se ka urdhëruar ushtrinë të përgjigjet fuqishëm ndaj asaj që e quajti “shkelje të qarta” të armëpushimit nga Hamasi.
Pavarësisht rifillimit të armëpushimit, rruga drejt një paqeje të qëndrueshme në Gaza mbetet e pasigurt. Çështje të rëndësishme si çarmatosja e Hamasit, qeverisja e ardhshme e Gazës dhe formimi i një force ndërkombëtare për stabilizim janë ende të pazgjidhura.