Izraeli shton prezencën në Bregun Perëndimor, pas sulmit që vrau katër civilë

21 qershor 2023 | 14:38

Ushtria izraelite ka vendosur forca shtesë më 21 qershor në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe është përgatitur për të shkatërruar shtëpitë e dy personave të armatosur palestinezë që vranë katër izraelitë.

Sulmi vdekjeprurës në vendbanimin Eli në Bregun Perëndimor është kryer nga dy militantë palestinezë, të cilët kanë hapur zjarr drejt një restoranti të një stacioni karburanti.

Mediet izraelite i kanë identifikuar katër të vrarët si Harel Masood, 21-vjeçar, Ofer Fayerman, 64-vjeçar, dhe Elisha Anteman, 18-vjeçar, dhe Nahman-Shmuel Mordoff, 17-vjeçar. Një civil izraelit ka vrarë një sulmues në vendin e ngjarjes, përderisa forcat izraelite e kanë ndjekur dhe vrarë sulmuesin e dytë që kishte tentuar të ikte.

Të shtënat erdhën një ditë pasi shtatë palestinezë janë vrarë në një betejë njëditore kundër trupave izraelite në bastionin militant të Jeninit. Përshkallëzimi i dhunës është shndërruar në një test për qeverinë e djathtë ekstreme të Izraelit dhe ka nxitur thirrje për operacion të gjerë ushtarak në Bregun Perëndimor.

Ushtria ka thënë se po shtonte praninë e trupave të saj në Bregun Perëndimor. Të mërkurën në mëngjes, ushtria ka thënë se trupat kanë arrestuar tre të dyshuar në fshatin palestinez Urif në lidhje me sulmin dhe gjetën vendndodhjen e shtëpive të dy personave të armatosur, para prishjes së mundshme të këtyre shtëpive, raporton “Rel”.

Izraeli shkatërron shtëpitë e sulmuesve palestinezë si pjesë e një politike që thotë se synon t’i pengojë të tjerët, por kritikët ankohen se kjo taktikë është “dënim kolektiv”.

Hamasi nuk ka marrë zyrtarisht përgjegjësi për sulmin, megjithëse ka identifikuar si anëtarë të saj dy personat e armatosur – Mohannad Faleh, 26 vjeç, i cili është vrarë nga një civil në vendngjarje, dhe Khaled Sabah, 24 vjeç, i cili është vrarë nga ushtria ndërsa ikte.

Pas sulmit të së martës, kolonët izraelitë sulmuan pronat palestineze në fshatrat përreth, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Të paktën pesë palestinezë u plagosën në sulmet e kolonëve izraelitë, njoftoi radioja e ushtrisë izraelite.

Të shtënat e së martës kanë pasuar një përleshje masive me armë midis militantëve palestinezë dhe trupave izraelite në kampin verior të refugjatëve Jenin një ditë më parë. Në atë përleshje janë vrarë shtatë palestinezë dhe më shumë se 90 të tjerë janë plagosur. Të mërkurën, numri i të vdekurve nga bastisja është rritur në shtatë kur 15-vjeçari Sadeel Naghniyeh ka vdekur nga plagët, kanë thënë zyrtarët palestinezë shëndetësorë.

Tetë ushtarë izraelitë janë plagosur gjithashtu gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Të shtënat vdekjeprurëse të së martës ishin të fundit në një varg të gjatë dhune në këtë rajon gjatë vitit të fundit. Të paktën 130 palestinezë dhe 24 izraelitë janë vrarë deri më tani këtë vit, sipas një raporti nga Associated Press.

Izraeli ka organizuar bastisje pothuajse çdo natë në Bregun Perëndimor në përgjigje ndaj një vargu sulmesh vdekjeprurëse palestineze që synonin civilët izraelitë në fillim të vitit 2022. Izraeli ka thënë se shumica e palestinezëve të vrarë ishin militantë, por të vrarë kanë mbetur edhe të rinj që gjuanin gurë gjatë protestave kundër inkursioneve dhe disa të tjerë që nuk përfshiheshin në konfrontime.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, së bashku me Jerusalemin lindor dhe Rripin e Gazës, në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967. Palestinezët i kërkojnë ato territore për një shtet të pavarur të ardhshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kremlini ka ritheksuar më 21 qershor qëndrimin se nuk ka…