
Izraeli sulmon udhëheqësit e Hamasit në Katar, shpërthime të fuqishme në Doha. Zyrtari izraelit: Trump aprovoi sulmin
Ditën e sotme janë dëgjuar shpërthime dhe është parë tym që ngrihet mbi kryeqytetin e Katarit, Doha, raporton agjencia e lajmeve AFP dhe Reuters.
Ndërkohë përmes një deklarate, ushtria izraelite ka konfirmuar sulmet, duke thënë se ka kryer një “sulm të saktë” të synuar ndaj udhëheqësve të lartë të Hamasit.
“Para sulmit, u morën masa për të zbutur dëmin ndaj civilëve, duke përfshirë përdorimin e municioneve të sakta dhe inteligjencës shtesë”, shtohet në deklaratë..
Ndërkohë një zyrtar izraelit konfirmon se sulmi në Katar kishte në shënjestër udhëheqësit e lartë të Hamasit.
Po ashtu, një zyrtar i Hamasit i tha BBC-së se delegacioni negociues i Hamasit u shënjestrua gjatë takimit të tij në Doha.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, “miratoi sulmin e Izraelit” që synonte udhëheqjen e lëvizjes palestineze Hamas në Doha, kryeqytetin e Katarit, tha një zyrtar i lartë izraelit, i cituar nga faqja e internetit e lajmeve “Inn”, duke shtuar se “kishte konsensus midis udhëheqjes politike dhe të sigurisë”.
Katari konsiderohet një mbështetës i madh politik dhe financiar i Hamasit, i cili sundon Rripin e Gazës, dhe strehon disa anëtarë të udhëheqjes së lëvizjes islamiste palestineze.