
Ja formacioni i mundshëm i Shqipërisë kundër Serbisë
Pas një seance ditën e hënë dhe dy të martën, Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar dje stërvitjen e radhës, duke u përgatitur intensivisht për ndeshjen e ditës së shtunë kundër Serbisë. Rei Manaj është i vetmi që shqetëson Silvinjon.
Sulmuesi mungoi ditën e martë për shkak të një gjendje gripale, ndërsa dje u stërvit i veçuar nga pjesa tjetër, me disa ushtrime shumë të lehta në palestër.
Për shkak të ngarkesës, edhe Mario Mitaj me Arlind Ajetin e mbyllën stërvitjen përpara kohe, për të mos rrezikuar diçka dhe vendin e tyre gjatë testeve në stërvitje e morën Artan Jazxhi, i cili është thirrur rishtazi për të plotësuar grupin dhe Adrian Bajrami, i cili u spostua majtas.
Për afërsisht 70 minuta, Silvinjo pati në dispozicion lojtarët për t’i udhëzuar në lidhje me taktikën dhe një pjesë të strategjisë së përgatitur për ndeshjen e së shtunës.
FORMACIONI- Pjesa më delikate e të gjitha përgatitjeve. Cilët do të jenë ata 11 “luftëtarët” të cilët do të zbresin në fushë mbrëmjen e së shtunës?
Një pyetje e cila ka shumë dilema dhe pavarësisht asaj që Silvinjo ka provuar në stërvitje, gjithçka mund të ndryshojë deri ditën e ndeshjes.
Ajo që gazeta është munduar të zbulojë, është se në portë do të jetë Thomas Strakosha, i konfirmuar.
Në mbrojtje ka vetëm një balotazh, ku Ismajli luan një vend me Ajetin dhe Kumbullën, ndërsa Balliu, Gjimshiti dhe Mitaj pritet të jenë nga fillimi.
Në mesfushë mund të kemi surpriza, pasi në treshe mund të përfshihet edhe Nedim Bajrami në vendin e Qazim Laçit.
Ndeshja e fundit ku Bajrami ka luajtur në pozicionin pas sulmuesve, ka qenë me Italinë, ku ka shënuar edhe gol. Pastaj Asllani dhe Ramadani janë më të avantazhuar se Shehu, Pajaziti apo Berisha. Nëse Bajrami spostohet në qendër, Hoxha merr krahun dhe Asani pritet të rikthehet në krahun tjetër.
Me Manajn i cili ka mbetur mbrapa me përgatitjet, Broja është më i avantazhuar për ta nisur nga fillimi në sulm./Panoramasport