
Ja sa qifte u shkurorëzuan gjatë vitit 2020
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka përpunuar dhe publikuar të dhënat vjetore për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet për vitin 2020, për herë të parë duke u bazuar në të dhëna administrative. Sipas këtyre të dhënave, gjatë vitit 2020 janë regjistruar afër 29 mijë lindje, ndërsa kanë vdekur rreth 13 mijë persona.
Të dhënat e publikuara në këtë raport paraqesin të gjitha rastet e lindjeve, vdekjeve, kurorëzimeve dhe shkurorëzimeve, brenda dhe jashtë Kosovës, që kanë ndodhur gjatë vitit 2020.
Në vitin 2020 janë regjistruar 28 mijë e 674 lindje (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej këtyre lindjeve të regjistruara, 21 mijë e 907 kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës, nga të cilat 11 mijë e 340 ishin meshkuj ose 51.8 për qind, dhe 10 mijë e 567 ishin femra ose 48.2 për qind.
Në vitin 2020 janë regjistruar gjithsej 14 mijë e 514 raste të vdekjeve (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej tyre, 12 mijë e 987 vdekje kanë ndodhur në Kosovë, nga të cilat 7 mijë e 222 ose 55.6 për qind të rasteve ishin meshkuj dhe 5 mijë e 765 ose 44.4 për qind të rasteve ishin femra.
Në vitin 2020 janë regjistruar gjithsej 14 mijë e 738 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej tyre, qifte të kurorëzuara të ndodhura në Kosovë ishin 13 mijë e 463, ku mosha mesatare e të martuarve ishte 29-vjeçare.
Në vitin 2020 janë regjistruar 1 mijë e 614 raste të çifteve të shkurorëzuara.
ASK-ja do të vazhdojë me grumbullimin e të dhënave përmes pyetësorëve të veçantë statistikorë: për lindjet , vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet gjatë këtij viti kalendarik, sikurse deri më tani.
Grumbullimi i të dhënave vazhdon të bëhet çdo muaj dhe do të shërbejë për krijimin e bazës së të dhënave, si dhe krahasimin me të dhënat administrative.
Burimi i të dhënave të këtij publikimi është Agjencia e Regjistrit Civil e Kosovës, gjegjësisht Zyrat e Gjendjeve Civile.