Ja sa shpenzojnë qytetarët e Kosovës për mjete piroteknike për festat e fundvitit

12 dhjetor 2019 | 14:21

Papunësia në Kosovë arrin numër shqetësues, e si pasojë edhe varfëria është tej mase e theksuar.

Mirëpo, kjo nuk po i ndalon qytetarët e Kosovës që për festat e fundvitit të harxhojnë miliona euro për djegien e mjeteve piroteknike.

Edhe këtë vit duket se janë planifikuar të shpenzohen miliona euro pasi është bërë import i madh i mjeteve piroteknike. Këtë e konfirmojnë edhe nga Dogana e Kosovës.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Adriatik Stavileci ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se këtë vit trendi i importimit të mjeteve piroteknike është i njëjtë me atë të vitit të kaluar.

“Deri me tani kemi importuar mbi 81 000 mijë kilogramë mjete piroteknike. Ka trend të njëjtë pasi vitin e kaluar kishim rreth 100 000 mijë kilogram, derisa sivjet jemi tek 81 000 mijë kilogramë dhe presim që viti të përmbyllet me sasinë e përafërt me vitin e kaluar”, ka thënë Stavileci, shkruan “FaktePlus”.

Importimi i kësaj sasie të mjeteve piroteknike, arrin vlera milionëshe. Deri tani për këto 81 mijë kilogramë të importuara, janë shpenzuar rreth 6.3 milionë euro.

“Vlerë monetare e deritashme është rreth 6.3 milionë euro derisa taksat e paguara janë rreth 2 milionë euro”, ka theksuar Stavileci.

Edhe këtë vit, importimi i mjeteve piroteknike është bërë kryesisht nga Kina.

“Gjatë këtij viti i tërë importi i fishekzjarrëve ishte nga Kina”, ka theksuar Stavileci.

Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ka paraparë edhe afate se kur fillon përdorimi i mjeteve piroteknike.

Në një përgjigje për “FaktePlus”, zyrtarja për media e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Rroksana Qarri, ka thënë se në bazë të ligjeve, shitja e mjeteve piroteknike fillon nga 19 dhjetori.

“Shitja nga data 19 dhjetor deri me 31 dhjetor”, ka thënë Qarri.

Ligji për përdorim civil të eksplozivëve, tek dispozitat ndëshkuese, parasheh gjobat që mund t’u shqiptohen të gjithë atyre që shkelin rregullat e përcaktuara me këtë ligj.

Sipas Qarrit, për gjithë ata që thyejnë afatet ligjore, do të ketë dënime qoftë për personat juridik, qoftë për ata fizik.

“Neni 48: Personi juridik për kundërvajtje dënohet me gjobë në shumë prej njëmijë (1000) deri shtatëmijë (7000) Euro nëse shkelet paragrafi 3.15 i këtij neni. Neni 49: Punëtorët e organeve të autorizuara dënohen për kundërvajtje me gjobë në shumën prej njëqind(100) deri pesëqind (500) Euro nëse shkelet paragrafi 1.5 i këtij neni; dhe Neni 50: Punëtori i organeve të autorizuara dënohet me gjobë në shumën prej njëqind (100) Euro në vendin e kryerjes së kundërvajtjes, nëse nuk e prezanton licencën me kërkesën e zyrtarit policor”, ka theksuar ajo.

Gjatë viteve të kaluara nga përdorimi i mjeteve piroteknike ka pasur shumë të lënduar, sidomos të rinj e fëmijë. Madje, ka pasur të atillë që kanë humbur edhe gishtërinjtë si pasojë e lëndimeve të marra nga pakujdesia gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike.

Për këtë shkak shumë nga komunat e Kosovës vitin e kaluar morën vendim për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike në vendet e hapura publike, përkatësisht në tregje, rrugë dhe sheshe./FaktePlus/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur për pezullimin e Ligjit…