Ja si flet Serbia (19)

29 korrik 2020 | 11:51

Shkruan: Kudusi Lama

Në librin në fjalë “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “SEKRETE”,[1] është thirrur në ndihmë edhe perëndia, sikur ajo është vetëm e serbëve.  Në faqen e parë të librit shkruhet:

“Kush nuk vjen në luftë në Kosovë –

prej dorës së tij asgjë nuk do prodhoj:

as në fushë grurë të bardhë,

as në mal hardhi të rrushit!”

Mallkimi i princit të shenjtë – Llazarit[2]

A është arsyetimi i këtij mallkimi raporti i atij të quajturi Dick Marty, që i paskan prishur shumë punë shqiptarët dhe që qenkan shkas për kriminalitet në rajon? I cili paska gjetur mundësinë të flasë në emër të Evropës për të goditur si do ai me ustallarët e tij serbë. Sa i vogël bëhet njeriu kur bëhet skllav i të tjerëve, fat i keq e ka gjetur të ziun Dick Marty.

Në vazhdim le të evidencojmë se çfarë thonë serbët në këtë libër: “Terrorizmi shqiptar në Kosovë e Metohi, si dhe në komunat e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës, i lidhur me forma të shumëllojshme me krimin e organizuar, paraqet një rrezik të vazhdueshëm për sigurinë e qytetarëve dhe stabilitetin politik jo vetëm të vendit tonë, por edhe të shteteve të tjera në rajon. (Edhe pse në Komunën e Medvegjës popullsia shqiptare nuk përbën shumicën, ekstremistët shqiptarë e trajtojnë atë si një pjesë të vetme territori etnik). Bartësit e një veprimtarie  të tillë kanë për qëllim ta sigurojnë legalizimin e veprimtarive të tyre kriminale dhe të pasurisë së fituar, ta arrijnë krijimin e Shqipërisë së Madhe ose të Kosovës së Madhe, në mënyrë që ta rrethojnë territorin që e konsiderojnë si hapësirë etnike shqiptare dhe ta zgjerojnë tregun e tyre të brendshëm dhe, në mënyrë të ndërsjellë, fuqinë e vet ekonomike, të  krijojnë ndikim politik dhe pjesëmarrjen në organet më të larta të pushtetit në këtë territor. Nxitja e dhunës dhe krijimi i vazhdueshëm i pastabilitetit në Ballkan mundëson që skenari i nxitur të realizohet në mënyrë sa më të efektshme”.[3]

Kur bëhet krahasimi i terminologjisë së përdorur në këtë libër dhe asaj të përdorur në raportin e Dick Martyt, duket menjëherë ngjashmëria ose, thënë më mirë, binjakëzimi midis këtyre të dy deklarimeve megjithëse njëri është i Serbisë e tjetri i Bashkimit Evropian. “Pasi vendosën lidhjen me strukturat kriminalistike, bartësit e veprimtarisë terroriste fuqizuan pozitën e tyre politike të cilën e shfrytëzojnë për presion mbi tërë popullsinë shqiptare, si dhe mbi subjektet politike autoktone shqiptare, duke i detyruar ata për bashkëpunim dhe koncensione. Kështu në opinionin publik arrihet përshtypja për një homogjenitet të plotë të korpusit kombëtar shqiptar dhe të interesimit të tij të vetëm për të njëjtin qëllim. Megjithatë, prapa motiveve ideopolitike e kombëtare për krijimin e një shteti shqiptar të vetëm, pavarësisht nga se ai quhet Shqipëria e Madhe apo Kosova e Madhe, fshihen interesa të caktuara të strukturave kriminale, të cilat synojnë që të përfshihen në proceset ekzistuese të tranzicionit politik dhe ekonomik, përkatësisht të transformimit të rajonit në tërësi, si dhe t’i legalizojnë punët e tyre kriminale”.[4]

Duket pra, se shqetësimi edhe i Serbisë edhe i zotëri Martyt është i njëjtë, të dyja palët janë shumë të shqetësuar se po u kriminalizohet rajoni, pasi shqiptarët kanë kundërshtuar me armë kolonizimin serb mbi territoret e atdheut të tyre. Ata janë shumë të shqetësuar, veç të tjerave, edhe pse shqiptarët në përgjithësi qenkan të mashtruar prej luftëtarëve, të cilët duke u folur për çështjen kombëtare, në fakt nuk paskan qëllim këtë por, thjesht, të sigurojnë pushtet për veten e tyre që ta zgjerojnë sferën e kriminalitetit. Që serbët do të flasin me këtë gjuhë është e qartë dhe nuk na krijon ndonjë befasi, por që zotëri Marty ka të njëjtin shqetësim, duket si anakronizëm. Serbët me këtë fjalor kanë folur edhe për Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Bajram Currin, Azem Galicën, Shaban Polluzhën e tani edhe për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç do të flasin edhe për të gjithë veprimtarët kombëtarë në të ardhmen, siç kanë folur edhe për të gjithë ata burra e gra të Kosovës e të trojeve shqiptare të pushtuara, të cilët i kanë burgosur, torturuar, masakruar e shfarosur prej një shekulli. Shqiptarët e dinë mirë këtë. Ndërsa që të quhen kriminelë pse kërkojnë lirinë prej të dërguarve të Evropës, ndihen si të ishin të tradhtuar pse duan vatrat e tyre të lira. “Shqiptarët, veçmas nga Kosova e Metohia, kanë zhvilluar ndjenjën e identitetit kolektiv, i cili është parakusht i domosdoshëm për t’u marrë me krimin e organizuar. Në të vërtetë ky element, i bazuar në përkatshmërinë e një grupi të caktuar, ka lidhur krimin e organizuar shqiptar me idealet mbarëshqiptare, me politikën, me veprimtaritë ushtarake dhe me terrorizmin”.[5]

Këtë formulë zotëri Marty e ka trajtuar si besnikëri klanore. Nëse serbët e trajtojnë si një ndjenjë identiteti kolektiv, që bëhet pengesë të depërtojnë serbët në strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zotëri Martyn e pengon besnikëria klanore të depërtojë për t’i gjetur kriminelët e për t’i vënë në bankën e të akuzuarve. Por, megjithatë, ai nuk e ka shumë problem, pasi duke supozuar i përcakton me emër e mbiemër ata që i konsideron udhëheqësit e kriminelëve, që nuk paskan bërë asgjë me vlerë, veçse janë marrë me krime dhe kanë shkaktuar shumë probleme, që tashmë kanë takuar në ustain – Dick Marty, i cili do t’i zbërthej deri në një për ta gjetur të “vërtetën” që i mungon sipas qëllimit që i ka vënë vetes në raportin e paraqitur në Këshillin e Evropës, që është përpiluar e trajtohet sipas instruksioneve dhe detyrave të Serbisë e në shërbim të saj.

Pra, në konkluzion të këtij paragrafi të cituar duket se, nëse lufton kundër Serbisë, nuk je tjetër veçse kriminel dhe terrorist. Të njëjtën etiketë na vë edhe zotëri Marty në raportin e tij. “Modelin universal relativisht të funksionimit të terrorizmit në botë, i cili, si rregull, në pjesën më të madhe financohet nga burime kriminale, me të ardhurat nga kontrabanda e drogës, e armëve, e njerëzve dhe e mallit të hyrë (akcizë), zbatoi, në kohën e vet, udhëheqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”, kurse tani këtë e bëjnë edhe udhëheqësit e ushtrisë kombëtare shqiptare. (Është fjala për UÇPMB-në dhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare – KL). Në këtë mënyrë është realizuar derdhja e papenguar dhe e vazhdueshme e mjeteve për aktivitetet terroriste, kurse personalitetet udhëheqëse të UÇK-së dhe të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, si dhe patriotët shqiptarë më në zë, për një kohë të shkurtër, arritën deri në pasurinë vetjake shumë të madhe, në kushtet e një krize social-ekonomike të thellë e shumë të zgjatur në rajon. Kjo është nxitja e vazhdueshme e zgjerimit të veprimtarive kriminale, të cilat, edhe më tej, paraqesin burimin e pashtershëm të të ashtuquajturave para të pista, si baza për sigurimin e vazhdueshmërisë së veprimtarive terroriste dhe të rekrutimit të përhershëm të luftëtarëve të rinj”.[6]

Na e ka gjetur modelin e financimit Serbia për ta bërë luftën për çlirimin prej pushtimit të saj. Na e ka përcaktuar se shqiptarët nuk mund të kishin bërë luftë po të mos merreshin me kontrabandën e drogës, të njerëzve, të armëve dhe të gjithë të këqijave që njihen në organet dhe organizatat e krimit në botë. Lexojeni raportin e zotit Marty, i cili nuk bën tjetër veçse duke ardhur në terren në një kohë edhe gjashtë vjet më vonë se të shkruhej ky libër, i specifikon më tej krimet e shqiptarëve, duke i saktësuar sikur të ishte duke vepruar në shkretëtirë jo në një vend të banuar e të qytetëruar, me njerëz të shkolluar e me ndërgjegje kombëtare bashkëkohore. Ai arrin të vërë edhe emra të adresave se nga është bërë lëvizja e gjithë këtij kriminaliteti.

Siç del nga ky citim, duket se shqiptarët gjithë pasurinë përpiqen ta grumbullojnë vetëm që të ndërtojnë, nxitin e funksionalizojnë terrorizmin. Ndërsa, në fakt, shqiptarët e dinë mirë se në gjenin e tyre nuk ka asnjë dukuri terroriste, nuk ka asnjë moment kur shqiptarët të jenë bërë pjesë e organizimeve apo të organizatave terroriste. Ashtu sikurse nuk mund të flitet për organizime të tilla në frontet e luftës, kur nuk ka as bukë për t’i plotësuar nevojat e organizmit në masën e duhur. Por qëllimi i këtyre citimeve nuk është të bëjmë vlerësime të detajuara. Atë ndoshta do ta bëjmë a duhet ta bëjmë në një kohë më të vonë. Kurse në këtë reagim qëllimi i vetëm është ta vlerësojmë terminologjinë e përdorur dhe adresimet në të dy materialet, në atë të Serbisë dhe në raportin e Dick Martyt, duke vënë në evidencë ngjashmëritë midis tyre, për të parë se sa besnik i Serbisë është zotëri Marty dhe sa poshtë bien organizatat ndërkombëtare duke e marrë seriozisht atë, pa paraqitur argumente. “Specifika e modelit të përbashkët të organizimit të strukturave terroriste dhe kriminale shqiptare është respektimi i parimeve të ndarjes territoriale me marrjen parasysh të sferave të interesave dhe të zonave të ndikimit të familjeve të caktuara. Në përputhje me këtë, në çdonjërin nga grupimet e përmendura, anëtarësia bazë i përket fisit përkatësisht, familjes së gjerë, e cila është mbizotëruese e përfaqësimit në territorin e caktuar. (Kështu, p. Sh., në Drenicë mbizotërojnë familjet Gecaj, Kodra, Jashari, Selimi dhe shumica e pjesëtarëve të UÇK-së nga kjo zonë dolën pikërisht nga këto familje)”.[7]

Nuk përtojnë serbët të na e parcelizojnë përgjegjësinë terroriste e kriminale deri në familje, por më i thellë është zotëri Marty sepse ai na e individualizon duke na i grupuar këto familje në “Grupin e Drenicës” dhe duke na i caktuar edhe “kumbarin” me emër e mbiemër. “Ndarja e përpiktë territoriale dhe klanore e pjesës më të madhe të shoqërisë shqiptare i kontribuon ruajtjes së organizimit tradicional hierarkik, mbylljes së tij dhe disiplinës së brendshme të rreptë të pjesëtarëve, e cila edhe sot zbaton vënien në jetë të ligjit (kanunit) të zakonshëm të Lekë Dukagjinit, ose sipas nderit të kodit klanor. Kërcënimi i kryerjes së detyruar të gjakmarrjes në rast tradhtie ose thyerjes së marrëveshjes u siguron mbrojtje të plotë zbatuesve të akteve terroriste e kriminale dhe, njëkohësisht, paraqet motivin më të shpeshtë të vrasjes midis pjesëtarëve të popullsisë shqiptare”.

Ashtu si zotëri Marty më vonë, pra në vitin 2010, serbët që më 2004 na kanë zbuluar se në klanet kriminale shqiptare ekziston një kanun, që serbët e evidencojnë edhe si kanuni i Lekë Dukagjinit, që paska ligjësi të cilat ndëshkojnë tradhtinë dhe që mban rregull në grupet e familjet dhe fiset shqiptare. Ky është një monstruozitet i veçantë, që jo vetëm serbët, por edhe zotëri Marty na e kthen kanunin tonë, që është kryevepër ligjore, zakonore, kulturore dhe historike, në një ligjësi kriminaliteti. Kanuni i Lekë Dukagjinit është një ligj i lashtë, që kur ai vendoste ligje shoqërore të barazisë, në Evropën e zotëri Martyt i dënonin njerëzit duke i vendosur e djegur nëpër turra drush, duke u prerë gjymtyrët e duke u prerë kokën. Ndërsa për serbët duhet thënë se ata e dinë mirë, se kur shqiptarët zbatonin këtë ligj drejtësie, ata nuk kishin as fise të organizuara. Megjithatë duhet sqaruar se në kanun ka nene të plota që ndëshkojnë çdo krim, përfshi edhe ata që duan t’ua veshin shqiptarëve serbët dhe megafoni i Serbisë – Dick Marty. Lexojeni kanunin ju serbët dhe Ju zotëri Marty, të kuptoni se aty lejohet të bëhen vetëm vepra ndershmërie e atdhetarie, ndërsa të gjitha veprat e tjera kriminale dhe të turpshme ndëshkohen rreptë. Unë e kuptoj që ju jeni të dy palët për të ardhur keq, por realisht me këtë intensitetin e shpifjeve, po i dëmtoni shqiptarët në opinionin e gjerë botëror, pasi askush nuk ka mendjen tuaj të kuptoj se ju po shpifni. Bota mendon se jeni qytetar, ajo nuk e di se ju akoma keni mbetur në mesjetë me mendësitë dhe praktikat që zbatoni në marrëdhëniet me të tjerët e në veçanti me shqiptarët, në territoret e të cilëve edhe jeni shtrirë deri sot e jeni bërë me atdhe. (Vijon)

[1] Libri i Millosh Obiliçit, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, është përkthyer në shqip me kërkesën time nga profesor doktor Hasani Çipuri, i cili është njohës shumë i mirë i serbishtes dhe autor i një seri fjalorësh në këtë gjuhë.

[2] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 1, botimi serbisht

[3] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 7, botimi serbisht

[4] Obiliç Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 7-8, botimi serbisht

[5] Po aty faqe 8

[6] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 8, botimi serbisht

[7] Obiliç Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 8, botimi serbisht

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kur vjen puna për artistët e tyre të preferuar, fansat…