Jahir Demaku thotë se procesi ndaj tyre është i padrejtë, i pabazë dhe i politizuar

22 prill 2024 | 16:20

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për krime lufte kundër popullatës civile, Jahir Demaku gjatë fjalës përfundimtare tha se procesi ndaj tyre është i padrejtë dhe i pabazë.

“I pabazuar në fakte, i politizuar dhe me tendencë të përmbushjes së normës nga një trup gjykues i EULEX-it. Për të… në emër të krimeve të luftës, duke inskenuar rastin për të siguruar pozita e favore brenda misionit të BE-së”, tha Demaku.

Ai shtoi se këto janë përcaktime të ish-kryetarit të Gjykatës së EULEX-it, Malkolm Simons, në e-mailat e tij zyrtare, në komunikime me udhëheqësin e misionit të BE-së në Kosovë dhe Bruksel, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Të transmetuara edhe në Radio Televizionin e Kosovës, në edicionin qendror të lajmeve dhe në emisionin “Udhëve” më 20 nëntor 2017”, shtoi ai.

Demaku tha se janë shpikur gjëra që fare nuk kanë ekzistuar

“Por, për ta inskenuar rastin si krime lufte, për t’i dhënë publicitet e për ta bërë të duket si rast i rëndësishëm në nivelin e lartë, mundësia më e mirë për ta ka qenë të na përfshijnë ne, pasi ishim në pozita të rëndësishme publike në atë kohë, e gjatë luftës ishim pjesëtar të UÇK-së, duke shërbyer me nder luftës për liri të vendit tonë”, tha Demaku.

Ai tha se dëshmitari A e ka njohur pasi ka jetuar aty në fshat dhe se sipas tij, kjo ishte më e lehtë për hetuesit e EULEX-it që më lehtë të improvizojnë gjithçka.

Sipas tij, edhe rrjedha e atij procesi ka treguar se edhe ai panel i gjyqtarëve të EULEX-it i kanë shërbyer atij misioni dhe jo drejtësisë.

“Kurrë kush mos të ketë një fat të tillë, që të dënohet dhe ta vuajë dënimin pa qenë fare fajtor, siç ka ndodh me ne”, përfundoi Demaku.

Paraprakisht, fjalën përfundimtare e dha edhe prokurorja Florie Shamolli, duke thënë se nga deklarata e dëshmitarit A, pa mëdyshje është vërtetuar se Jahir Demaku dhe Sylejman Selimi janë kryerës të veprës penale “Krime kundër njerëzimit”.

Gjithashtu, prokurorja Shamolli tha se janë të vetëdijshëm se kanë vetëm një provë të vetme personale në këtë rast, por se edhe konventat ndërkombëtare nuk kërkojnë viktime kur janë ndërmarrë veçse veprimet.

Prokurorja tha po ashtu se nga dëshmitari A pa mëdyshje u vërtetua se dy persona të kamufluar, e kishin ndaluar, maltretuar dhe dërguar në burg.

Fillimisht, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj 15 të pandehurve por që me aktvendim aktakuza është ndarë në dy akuza, “Drenica 1″ dhe “Drenica 2”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, në maj të vitit 2015, kishte shpallur fajtor dhe kishte dënuar me tetë vjet burg Sylejman Selimin për keqtrajtim të ndaluarve në fshatin Likoc gjatë luftës. Bashkë me Selimin, Isni Thaçi dhe Jahir e Zeqir Demaku ishin dënuar me nga shtatë vjet burg, ndërsa me tri vjet burg ishte dënuar Nexhat Demaku.

Me nga tre vjet burgim ishin dënuar edhe Agim, Selman, Driton e Bashkim Demajt dhe Fadil Demakut.

Në shtator të vitit 2016, Gjykata e Apelit duke vendosur lidhur me ankesat e të akuzuarve kishte nxjerrë aktgjykim, duke vërtetuar në masë të madhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Mitrovicë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit ia kishte zbutur dënimin me një vit burg Sylejman Selimit.

Gjykata Supreme në korrik të 2017-ës kishte refuzuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë nga ana e të dënuarve, mirëpo, Gjykata Kushtetuese në qershor të 2018-ës, e kishte kthyer rastin në rishqyrtim Gjykatës Supreme.

E Gjykata Supreme, sërish kishte vendosur të refuzojë kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga ana  mbrojtësve të të dënuarve.

Ndryshe, Sylejman Selimi po akuzohet për pikën 6 të aktakuzës, kurse Jahir Demaku për pikën 3 të aktakuzës, për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, që parashihet dhe dënohet me nenet 22 dhe 142 të KPRSFJ (që momentalisht penalizohet me nenet 31 dhe 152 të KPRK), sepse, në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët dhe nenin 4 të Protokollit shtesë II dhe të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të brendshëm të armatosur në Kosovë.

Sipas aktakuzës, gjatë gjithë kohës relevante për këtë aktakuzë, të pandehurit në cilësinë e pjesëtarëve Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në bashkëkryerje kishin cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e dy personave të paidentifikuar nga lagja Shipol në Mitrovicë, i ndaluar në qendrën e ndalimit të Likovcit, duke e rrahur atë në mënyrë të përsëritshme, në një datë të papërcaktuar në muajin gusht ose shtator 1998.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lagjja Kodra e Dodës në fshatin Irzniq kishte marrë barrën…