Jahjaga me ambasadorët amerikanë bisedon për rëndësinë e diasporës shqiptare

20 nëntor 2020 | 11:25

Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka hapur konferencën “Diaspora flet 2020” ku pjesëmarrës ishin edhe dy ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Shqipëri, Philip Kosnett dhe Yuri Kim.

Sipas njoftimit aty është zhvilluar një “maratonë diskutimesh”, propozime dhe reflektime mbi angazhimin e diasporës nga profesionistë shqiptarë kudo në botë.

“Reflektim mbi 20 vitet e fundit të angazhimit të diasporës shqiptare, se çfarë kemi mësuar nga e kaluara dhe çfarë mbart e ardhmja në 20 vitet e ardhshme dhe a kemi bërë sa duhet për të ndërtuar komunitetet tona në mënyrë sistematike, ishin disa nga pyetjet të cilat ngjallën debat të strukturuar në 5 sesionet e realizuar me temën avokimi dhe diplomacia”, është thënë në njoftim.

Gjatë një bisedimi 30 minutësh në mes të ish-presidentes Jahjaga dhe Valbona Zeneli, udhëheqëse e Departamentit të Nismave Strategjike në qendrën “George C. Marshall”, është diskutuar për migracionin, rolin e grave në migrim, remitancat dhe nevoja për bashkërendimin e aktiviteteve në mes të diasporës dhe institucioneve të vendit amë.

Jahjaga e pyetur rreth fenomenit të migracionit është shprehur se migrimi duhet të jetë një zgjidhje dhe jo një obligim i ndikuar nga faktorët e brendshëm.

Ajo ka kërkuar një angazhim dhe një seriozitet nga elita politike për të trajtuar diasporën si pasuri kombëtare duke shprehur në fund përulje ndaj diasporës dhe ndihmës së saj në ndërtimin e Kosovës.

Vlerësim ndaj rolit të diasporës në etapa të ndryshme është bërë edhe në panelin e dytë me temë angazhimi i diasporës 20|20 – Forcimi i bashkëpunimit. Një reflektim mbi të kaluarën, rrëfim mbi lobimin e shqiptarëve jashtë vendit, rezistencën dhe roli i diasporës sot është diskutuar përgjatë këtij paneli, ku folës ishin Avni Mustafaj, Edita Tahiri, Shenasi Rama, Afërdita Rakipi dhe Besnik Pula.

Ndërsa sa i përket përfaqësimit politik të diasporës është theksuar se mungon vullneti politik për të integruar diasporën në politkëbërjen ditore dhe shtetërore. Në këtë panel është përmendur edhe Projektligji për diasporën dhe votimi i tyre në misionet diplomatike.

Sipas ish-deputetit Korab Sejdiu ajo çfarë ka ndodhur është se politikanët e pozitës kanë vendosur që ta mbanin peng këtë projektligj ngase e dinin se nuk mund të kalkulonin në votat e diasporës.

Ndërkohë, ish-kryeministri shqiptar, Pandeli Majko, ka thënë se marrëdhënia me diasporën është duke u kthyer nga sasiore në cilësore.

Liza Gashi, folëse në këtë panel ka theksuar se partitë politike nuk duhet të jenë prezente në diasporë por duhet të përfshijnë atë brenda programeve të veta.

Ndërsa Mark Gjonaj, këshilltar bashkiak i Nju Jorkut njëherësh edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Diasporës (KKD) ka thënë se shtetet shqiptare duhet të koordinohen për angazhimin e diasporës si një komunitet global dhe unik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gentian Mezani është rikthyer në stolin e Gjilanit pas pesë…