Jahjaga mohon se kishte takime me Epstein: Raportime të pavërteta

02 shkurt 2026 | 13:31

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se raportimet për lidhjen e saj me dosjen “Epstein” janë të pabaza dhe të pavërteta.

Ajo  ka thënë se nuk pasur asnjëherë takim me Jeffrey Epstein.

“Raportimet mediatike për ‘lidhjen time’ me dosjen ‘Epstein’  janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë. Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar”, ka shkruar Jahjaga në “Facebook”.

Ajo ka thënë se në këtë email te palëve të treta përmendët presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk përmendët kërkesa për takim në emër të tij apo të saj.

“Çdo raportim ndryshe është insinuate dhe mashtrim i opinionit, siç mund te vërehet lehtë nga dokumentet”, ka shkruar ajo.

Përveç Jahjagës në këtë dosje është përmendur edhe emri i ish-presidentit Behgjet Pacolli i cili poashtu ka mohuar se është i përfshirë në këtë.

Dokumente të sapohapura nga një gjykatë federale amerikane kanë zbuluar emrat e liderëve botërorë, anëtarëve të familjeve mbretërore, miliarderëve dhe elitës së biznesit të lidhur me financierin e diskredituar Jeffrey Epstein.

Zbrazja e mbi 3 milion faqeve të dosjeve nga Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së në një rast të profilit të lartë për trafik seksual ka hedhur dritë mbi dhjetëra figura të fuqishme, të supozuara të lidhura me Epstein, duke përfshirë politikanë, mbretër, diplomatë dhe përfaqësues të korporatave nga kontinente të ndryshme.

Në mesin e shumë figurave politike ka qenë edhe ish-ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy ditë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të…