
Jahjaga për ndërtimin e spitalit të fëmijëve: Udhëtimi nga viti 2015 ishte i gjatë dhe sfidues
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka uruar qytetarët për ndërtimin e spitalit të fëmijëve në Prishtinë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Jahjaga, e cila kishte në vitin 2015 kishte nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e këtij spitali, ka thënë se inaugurimi i sotëm ishte i gjatë dhe sfidues.
“Udhëtimi nga viti 2015 kur u nënshkrua marrëveshja për nisjen e projektit, një donacion gjeneroz prej 22 milion Eurosh i Emirateve të Bashkuara Arabe, e deri tek inaugurimi i sotëm ishte i gjatë dhe sfidues”, ka shkruar Jahjaga në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Jahjagës:
Sot, inauguruam spitalin për fëmijë në Prishtinë
Udhëtimi nga viti 2015 kur u nënshkrua marrëveshja për nisjen e projektit, një donacion gjeneroz prej 22 milionë eurosh i Emirateve të Bashkuara Arabe, e deri tek inaugurimi i sotëm ishte i gjatë dhe sfidues.
Por, vullneti i fuqishëm na dhuroi durimin dhe na ndihmoi të kapërcejmë të gjithë pengesat.
Jam jashtëzakonisht mirënjohëse ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe dhe familjes mbretërore për mbështetjen e tyre të palëkundur ndaj Kosovës, mirëqenies së popullit tonë dhe të ardhmes së tij.
Ndërtimi i spitalit për fëmijë është, padyshim, një shenjë e fuqishme e miqësisë dhe partneritetit që kemi me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Së bashku, jetësuam një ëndërr duke realizuar një projekt modern e të sofistikuar, i cili do t’u lehtësojë fëmijëve trajtimin spitalor dhe do t’i kursejë shtetit miliona euro që më parë ishin shpenzuar për shërimin e pacientëve jashtë vendit.
Fëmijët janë e ardhmja jonë dhe investimi në mirëqenien e tyre është i domosdoshëm! Fëmijëve të sëmurë do t’u kthejmë buzëqeshjen, e prindërve të tyre do u kthejmë shpresën e besimin në shtet dhe në aleancat tona ndërkombëtare.