Jam i sigurt në pafajësinë e liderëve të UÇK-së

19 prill 2024 | 10:48

Gjenerali në pension, prof. dr. Kudusi Lama, në pjesën e dytë të intervistës dhënë “Epokës së re”, ka shprehur bindjen se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të dalin të pafajshëm në përfundim të procesit gjyqësor në Hagë.

Ai ka theksuar se “deklarimi i Shaun Byrnes, se nuk ka parë kurrë prova që Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka urdhëruar kryerjen e ndonjë krimi, është tregues se kjo prokurori ka dështuar në pretendimet e saj”.

“Jam i bindur se ata do të dinë ta tregojnë botërisht portretin e tyre, të ushtrisë së tyre dhe të luftës së tyre, ashtu si dje në luftë”, ka thënë ai. Lama ka kërkuar nga institucionet e Kosovës t’i kryejnë detyrat që i kanë të përcaktuara me ligj sa iu përket liderëve të UÇK-së.

“Epoka e re”: Para disa ditësh, me kërkesë të Departamentit Amerikan të Shtetit, ka dëshmuar edhe ish-shefi i Misionit Diplomatik Vëzhgues të ShBA-së në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Çfarë vlerësimi keni për dëshminë e tij dhe, sipas jush, çfarë ka nxjerrë në pah?
Gjeneral Lama: Duke parë se përgjithësisht dëgjimi i dëshmitarëve ka qenë i mbyllur për publikun, unë nuk mund të them saktësisht se çfarë po ndodh në atë gjykim. Por sipas asaj sa dihet, po shihet se dëshmitarët përgjithësisht janë të manipuluar dhe të instruktuar për të bërë deklarata, prej të cilëve në mjaft raste po ndodhin luhatje dhe shmangie nga deklaratat e mëparshme deri edhe mohime të tyre. Prej nga gjykata në vend ta kërkojë origjinën e këtyre luhatjeve e mohimeve të deklaratave të mëparshme, për ta gjetur të vërtetën në veprimtarinë e prokurorisë pranë kësaj gjykate në bashkëpunim me prokurorinë e Beogradit, por tenton të bëjë deklarata të papërgjegjshme se ata sillen në këtë mënyrë sepse i frikësohen hakmarrjes për dëshminë e tyre.
Domethënë, megjithëse dëshmitarët kanë fshehtësi, kanë garanci, kanë mbrojtje, kanë shpërblime dhe përsëri po thonë se deklaratat e mëparshme që kanë bërë kundër UÇK-së janë të pasakta dhe se nuk ishte për shkak të frikës së hakmarrjes që ata e ndryshuan dëshminë e tyre. Përsëri gjykata gjen guxim të bëjë akuzë se po ia frikësojnë dëshmitarët të japin deklarata siç i kanë dhënë në prokurori. Po kush i frikëson? Këtë nuk e thotë. Megjithëse vetë dëshmitarët po i thonë se nuk kemi presion, por kjo është e vërteta. Kush ka faj pse për të marrë dëshmi të rreme ka bërë manipulime prokuroria pranë asaj gjykate?
E tani ndodhi diçka që ndoshta gjykata nuk e priste. Aty erdhi për të dëshmuar kreu i Misionit Vëzhgues Diplomatik i Kosovës, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kohën e luftës Shaun Byrnes, i cili dëshmoi se ai nuk kishte asnjë provë se të luftëtarët që gjykohen të kishin urdhëruar rrëmbime a veprime që përbënin krime dhe që kishin dëmtuar civilë a njerëz të pa përfshirë në operacione luftarake. Megjithëse ai kishte qenë në Kosovë në kohën për të cilën akuzohen luftëtarët e mbyllur në Hagë.
Megjithatë unë do të dëshiroja që kjo gjykatë e themeluar si institucion nga Kosova dhe që i ka dhënë vetes pavarësi të tejskajshme, do ta kryej detyrën siç thirret sipas legjislacionit të Kosovës dhe siç thotë do të sigurojë që pretendimet për krime lufte të UÇK-së të saktësohen dhe se do të shpallen fajtorët dhe të pafajshmit. Por, prokurorët, si ata që u arratisën ashtu edhe ata që janë prezent, jam i sigurt se kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë kundër Kosovës dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse duhet të justifikojnë akuzat që kanë ngritur, me qëllimin që të fitojnë publicitet në media, për t’u dukur me vlera, duke bërë kështu dëme të pariparueshme, siç i mendojnë ata, por që jam i sigurt se do të dështojë gjithë ky makinacion i ngritur për të fituar para me të gjitha mënyrat dhe paga të larta për një periudhë të gjatë kohe.
Deklarimi i Shaun Byrnes, se nuk ka parë kurrë prova që Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka urdhëruar kryerjen e ndonjë krimi, është një tregues se kjo prokurori ka dështuar në pretendimet e saj.
Jam i sigurt se dëshmitarë të tjerë, do ta demantojnë plotësisht gjithë ngrehinën me mashtrim që ka ngritur kjo prokurori.
Por ajo që dhemb më shumë është deklarimi i Shaun Byrnes, se një intelektual në Kosovë në atë kohë i kishte thënë se UÇK-ja është një grup fshatarësh rebelë që janë ngritur kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dhe për këtë ai e kufizon deklaratën në tre persona, të cilët ose duhet t’i qëndrojnë publikisht asaj deklarate ose duhet të pranojnë se kanë gabuar, ose i qëndrojnë edhe sot atij mendimi. Kjo vërtetë është jo vetëm e turpshme, por edhe shumë e dëmshme në planin kombëtar shqiptar dhe në planin qytetar.
Lidhja Demokratike e Kosovës që nga krijimi i saj ka qenë dhe mbetet vlerë kombëtare shqiptare. Ajo asnjëherë nuk është deklaruar si instrument i Serbisë. Ajo në atë kohë gëzonte simpatinë e pjesës më të madhe të shqiptarëve në Kosovë. Dhe ajo pavarësisht nga orientimi për paqe i asaj kohe, sot e nderon Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrinë që e barti atë luftë.
E të fshish nga trualli i Kosovës në atë kohë 70 mijë trupa ushtarake, 12 deri 20 mijë forca policore, 8 mijë forca paramilitare, 5 mijë forca ushtarake kriminale e vullnetare, si dhe 63 mijë forca të armatosura për vetëmbrojtje territoriale me qytetarët serb të Kosovës të armatosur dhe të organizuar për luftë dhe ta veshë UÇK-në përballë LDK-së nuk di se ka vepër më të madhe kundërkombëtare. Kush e ka bërë le t’i ndijë lezetin.

“Epoka e re”: Shumica e dëshmitarëve në këtë proces deri më tani kanë dëshmuar me dyer të mbyllura. Pse mendoni së është duke ndodhur një gjë e tillë?
Gjeneral Lama: Zakonisht fshihet e shëmtuara. Prandaj edhe mua më duket se po fshihet shëmtia e çfarë është organizuar dhe përgatitur nga sistemi i prokurorisë për të përgatitur akuzat e për t’i paraqitur ato para gjykatës me dëshmitarët e instruktuar.
Përfundimisht duhet të jetë e qartë që ky gjyq nuk ka transparencë. Ata u munduan të bëjnë seanca të fshehta edhe me kreun e Misionit Vëzhgues Diplomatik i Kosovës, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kohën e luftës Shaun Byrnes. Kur ai bënte deklarata dhe nuk i trembej askujt për ato që thoshte, pse duhej bërë fshehtësi?
Por në një mënyrë edhe ai duhej fshehur, sepse bënte deklarata dhe jepte informacione që nuk i interesonin ose ishin në dëmin e prokurorisë. Siç ishte fakti që deklaroj se: Asnjëherë nuk mbaj në mend që Thaçi të jetë marrë në mënyrë të drejtpërdrejt me komandantët në terren. Ne e kemi takuar me pjesëtarë të tjerë të drejtorisë politike, dhe sipas përkufizimit, jo udhëheqës ushtarak, dhe kuptohet që nuk ka qenë udhëheqës ushtarak.
Ashtu sikurse deklarimi tjetër që realisht është i gjetur kur thotë se: “Shtabi i Përgjithshëm ka qenë si Ministria e Jashtme e UÇK-së. Kjo ka qenë ndjesia”. Çka vërtetë tentohej të krijonte imazhin e një qeverie lufte.
Prandaj duhet të jetë e qartë se kjo lojë do të vazhdojë deri ditën e dështimit të kësaj prokurorie e përfundimisht nëse do të bjerë në kurthin e prokurorisë edhe në fundin e kësaj gjykate, që do të jetë dita e pafajësisë së luftëtarëve dhe e pastrimit botërisht të çdo hapi të hedhur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës së saj të lavdishme dhe që do t’i mbulojë me turp të gjithë ata që janë ngritur nga hiçi për të hedhur shpifje mbi UÇK-në, për të cilën shqiptarët janë krenar përjetësisht.
Por unë e di se Serbia dështoi ta shkatërroi UÇK-në me UDB-në e saj. Prandaj për të vijuar atë që nuk e realizoj në atë kohë të luftës, po punon fortë për të shkatërruar sa të mundet në këtë kohë. Dhe kam frikë se po gjen partnerë edhe ndër shqiptarët në Kosovës për ta realizuar këtë luftë. Prandaj edhe ata që ishin dje në rreshtat e saj kundër atdheut të tyre, ata janë edhe sot në funksionin e dëshmitarit të fshehtë për të akuzuar e montuat shpifje kundër disa prej udhëheqësve të luftës. Çka i jep mundësi Serbisë të deklarojë se edhe shteti i sotëm i Kosovës është i mbështetur në themele kriminale, pasi është i mbështetur pikërisht mbi luftën e UÇK-së.

“Epoka e re”: Në bazë të dinamikës aktuale, sa prisni të zgjasë procesi gjyqësor në Hagë?
Gjeneral Lama: Aq sa të jepen para për të paguar prokurorët, aq do të zgjasë ky gjykim. Aq sa të ketë durim ta pranojë këtë gjykim populli i Kosovës. Aq sa të pranojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të bëhet lojë me atë që quhet hapësirë e influencës së saj, siç janë territoret shqiptare në Ballkan. Deri në atë kohë do të zgjasë ky gjyq. Por një ditë do të përfundojë. Fatkeqësia qëndron në maltretimin e burrave të lavdishëm të kombit shqiptar që janë mbyllur e mbahen atje.
Por ky nuk është rast i vetëm. Në shtator të vitit 1912, kur po përgatitej pavarësia e Shqipërisë, Serbia pa asnjë arsye do të arrestonte Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Idriz Seferin e të tjerë dhe do t’i dërgonte në burg në Beograd. Të cilët i mbajti të izoluar deri në vitin 1913 kur përfundonte konferenca e Londrës dhe pastaj një ditë të bukur u thanë ikni prej këtu se nuk kemi mundësi t’u ruajmë me bukë pa arsye.
Besoj nuk ka nevojë për koment se edhe aktualisht janë mbyllur atje burrat e fortë, sa të bëhen disa punë në mungesë të tyre dhe një ditë t’u thonë ikni prej këtu, por kur të vijnë ata nuk mund ta ndryshojnë më situatën, aq sa mundën ta ndryshojnë Hasan Prishtina, Bajram Curri, Idriz Seferi e të tjerë.

“Epoka e re”: Muajt e fundit ka pasur ankesa në drejtim të institucioneve të Kosovës sa i përket financimit të avokatëve të liderëve të UÇK-së. A do të duhej që institucionet të jenë 100 për qind në mbështetje të mbrojtjes se liderëve të UÇK-së?
Gjeneral Lama: Unë nuk kërkoj asgjë më shumë prej institucioneve shtetërore në Kosovë, veç të bëjnë detyrën çka i obligon ligji. Në qoftë se nuk e bëjnë atë duhet të japin llogari para ligjit. Ndërsa për sa i përket sa duhet shteti i Kosovës të jetë në interesim e në mbështetje të burrave që i kemi të marrë pengë në Hagë, kjo ka të bëjë me ndjesinë sa ata persona që e përbëjnë shtetin e kuptojnë se vepra e atyre të marrë pengë është themeli i shtetit në kolltukët e të cilit janë ulur. Uniston Çurçilli ka thënë: “Unë isha vetëm shërbëtori i vendit tim. Dhe po të kishte pasur qoftë një moment të vetëm që të mos e kem treguar vendosmërinë time të patundur për të luftuar dhe për të fituar, atëherë menjëherë do t’ua kisha hapur rrugën të tjerëve”. A janë të pa vlerë ata burra pse kishin atë parim moral siç e kishte edhe Çurçilli? Mendoj se jo. Por që me luftën e tyre janë paraqitur të tillë për këtë unë jam dëshmitar dhe jam shumë i lumtur që e njoh veprën dhe luftën e tyre.

“Epoka e re”: Gjeneral Lama, me çfarë optimizmi e prisni epilogun e procesit gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së?
Gjeneral Lama: Unë jam krenar që kam rrugëtuar me ata burra dhe me të tjerët që janë në Kosovë e nëpër botë duke bërë jetën e tyre. Jam i sigurt në pafajësinë e tyre. Jam i bindur se ata do të dinë ta tregojnë botërisht portretin e tyre, të ushtrisë së tyre dhe të luftës së tyre, ashtu si dje në luftë.
Viktor Hygo ka thënë: “Ata që jetojnë janë ata që luftojnë”. Prandaj ata e dinë çfarë po bëjnë dhe do ta bëjnë duke na bërë krenar, sepse janë nga ata që luftojnë. Ndërsa ata që janë përballë e kanë parë luftën nëpër libra, por është thënë se luftën e vërtetë kurrë nuk do ta gjeni nëpër libra. Kështu që ata nuk mund të jenë luftëtarë e për rrjedhojë do të dështojnë. Prandaj unë më shumë shqetësohem për këta që udhëheqin shtetin se sa për ata që janë atje në Hagë. Sepse ata dinë si fitohet lufta. Por këta nuk e di a dinë si organizohet paqja. Sepse pikërisht për këtë luftoi UÇK-ja e për këtë janë ata burrat në Hagë. Ata edhe atje janë të fortë se e kanë ndërgjegjen të qetë. Po këtu a kemi prej atyre që nuk mund të bëjnë deklaratë publike se babai i tij asnjëherë nuk ka luftuar kundër vendit të tij? A kemi nga ata që nuk e dinë se po nuk deshën ushtrinë e tyre do të jenë të detyruar të duan ushtrinë e dikujt tjetër?
Kurse burrat që janë pengë në Hagë vijnë nëpër luftë. Ata më mirë se askush tjetër e dinë çmimin e jetës. E nuk janë fajtorë ata pse lufta që dikujt i jep lavdi, turpin ua lë të tjerëve. Prandaj ata si dje edhe sot e dinë kush është armiku. E njohin mirë atë ashtu siç njohin edhe veten, prandaj edhe nuk rrezikojnë edhe po të futen në beteja të panumërta. E dinë mirë lojën e luftës ata. Sepse para se ta fillonin luftën kundër Serbisë e kishin fituar atë. Edhe në Hagë nuk i kanë marrë, por kanë shkuar sapo i kanë thirrur. Dhe e kanë bërë këtë se atë ditë që janë nisur për atje e kanë fituar gjyqin. Nuk kanë shkuar me shpresë të dalin të pafajshëm, por kanë shkuar me bindjen se janë të pafajshëm. Unë i pres të vijnë. A vijnë shpejtë nuk e di. Që vijnë krenar e di. (Fund)

(Lirim GECI / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Doruntina Grulaj Burrat as me burra nuk kuptohen, ata…