Jamie Shea: Intervenimi ushtarak ishte e vetmja mënyrë për të ndalur dhunën dhe vrasjet

24 mars 2021 | 15:21

Në rrethana të okupimit, të luftës, të gjenocidit, Jamie Shea u bë zëri më i besueshëm që i tregonte botës për vuajtjet, masakrat dhe përndjekjet sistematike të shtetit serb mbi popullin e Kosovës. Në njëjtën kohë, Shea ishte zëri i aleancës më të fuqishme ushtarake dhe zëri i shpresës për qytetarët e Kosovës. Në 22 vjetorin e ndërhyrjes humanitare të NATO-s kundër regjimit serb, Jamie Shea rikthehet me një intervistë ekskluzive për Demokracia.com.

Në këtë intervistë, Shea flet për vendimin kompleks që kishte marrë NATO-ja më 24 mars 1999, për përpjekjet e Rusisë për ta ndarë veriun e Kosovës dhe për planin e ndërhyrjes me trupa tokësore. Shea në këtë intervistë për Demokracia.com flet edhe për sidat me të cilat ballafaqohet Kosova sot. Ai shprehet optimist se bashkësia ndërkombëtare do të jetë e bashkuar si dikur, ndërsa shprehet i bindur se perëndimi nuk ia ka kthyer shpinën Kosovës.

Shea flet edhe për rolin e UÇK-së për lirinë e Kosovës, për Gjykatën Speciale dhe për lidhjen emocionale që ka me Kosovën.

Intervistoi: Artan Behrami

Demokracia.com: Në rrethana të okupimit, të luftës, të gjenocidit, intervenimi i NATO-s për shqiptarët erdhi vonë. Për perëndimin erdhi pasi u shteruan të gjitha përpjekjet diplomatike. Për kundërshtarët, intervenimi nuk duhej të ndodhte kurrë. Si u mor ky vendim kompleks, i ndjeshëm dhe kaq përcaktues për Kosovën?
Jamie Shea: Siç nënkupton me të drejtë pyetja juaj, aleatët e NATO-s punuan shumë për të arritur një zgjidhje politike, të negociuar, të krizës në Kosovë, gjatë gjithë vitit 1998. Qëllimi i tyre ishte të bindnin Beogradin që t’ia rikthente Kosovës autonominë që e kishte pasur para se Millosheviqi ta hiqte atë në mënyrë të njëanshme në vitin 1989. Gjithashtu, ne kërkuam që Beogradi të ndalonte fushatën e represionit të dhunshëm kundër popullit kosovar, që ishte jo vetëm shkelje e të drejtave të tyre njerëzore, por gjithashtu shpinte në mënyrë të pashmangshme në një përshkallëzim të dhunës. Në negociatat në Rambouillet të Francës, kosovarët pranuan zgjidhjen e negociuar, të ndërmjetësuar nga bashkësia ndërkombëtare, por Beogradi e refuzoi atë dhe qartë vendosi të ndiqte politikën e përdorimit të forcës dhe një zgjidhje vetëm sipas kushteve të tij. Pra, për të parandaluar dhunën dhe një katastrofë humanitare, NATO-ja filloi ndërhyrjen e vet ushtarake në mars të vitit 1999. Gjatë tërë kohës, NATO dëshironte t’i përmbahej të drejtës ndërkombëtare dhe t’i jepte Beogradit mundësinë për një zgjidhje paqësore, nëse ishte i gatshëm ta pranonte atë. Kështu, ishte e vështirë për NATO-n të ndërhynte më herët. Në të njëjtën kohë, NATO-ja veproi shumë më shpejt në Kosovë sesa kishte vepruar në Bosnjë, gjë që rezultoi me një konflikt shumë më të shkurtër dhe me shumë më pak humbje në njerëz. Për kritikët e ndërhyrjes së NATO-s, unë them: “çfarë alternative më kredibile keni pasur ndonjëherë për të parandaluar dhunën masive dhe një numër të lartë të vdekjeve në Kosovë në vitin 1999?”.

Demokracia.com: Bota ju ka njohur si zëdhënës i NATO-s, por për ne ju ishit zëri i vuajtjeve tona, masakrave dhe përndjekjeve sistematike të popullit të Kosovës. A keni qenë atë kohë të vetëdijshëm që konferencat tuaja për media u shndërruan në shpresë për mbijetesë për dy milionë shqiptarë?
Jamie Shea: Jo, nuk kam qenë i vetëdijshëm se njerëzit në Kosovë gjatë konfliktit ishin në gjendje të ndiqnin njoftimet për shtyp të NATO-s dhe se këto u mbanin gjallë shpresën gjatë kësaj kohe tepër të rëndë. Këtë e kuptova vetëm kur vizitova Prishtinën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, në qershor të vitit 1999, kur takova kosovarët dhe i pyeta për përvojat e tyre. Gjatë konfliktit ne po i drejtoheshim audiencave të shumta: opinionit publik në vendet e NATO-s, Beogradit dhe partnerëve ndërkombëtarë në Kombet e Bashkuara. Shqetësimi më i madh ishte se mediat dhe publiku ynë, në vendet e NATO-s, do të vazhdonte të na mbështeste vetëm nëse arrinim qëllimin tonë për të ndaluar represionin e Beogradit. Kjo nuk ishte gjithmonë e lehtë dhe kishim disa momente të vështira kur operacionet ushtarake të përditshme të NATO-s nuk shkonin gjithmonë siç ishin planifikuar. Pra, jam krenar që njoftimet për shtyp kishin vlerën e shtuar, të ndihmonin popullin e Kosovës për të qëndruar të paepur.

Demokracia.com: Atë që sot quhet dezinformatë, ju e keni përjetuar në ballafaqimin me propagandën serbe dhe ruse. Sa e vështirë ka qenë lufta e informimit dhe e mbrojtjes nga dezinformatat në atë kohë?
Jamie Shea: Gjatë atyre ditëve, mediat sociale ishin në fillimet e tyre dhe ne ende nuk i kishim provuar sulmet kibernetike të sofistikuara e me shumë resurse dhe as fushatat propaganduese e dezinformuese me të cilat jemi përballur gjatë dekadës së fundit, të cilat NATO-ja i quan luftë hibride. Në vitin 1999, CNN-i dhe BBC-ja mbizotëronin eterin e transmetimit dhe shumica e njerëzve ende i merrnin lajmet nga mediat tradicionale. Unë e konsideroj veten me fat që konferencat për shtyp të Kosovës u zhvilluan në vitin 1999 dhe jo në vitin 2019. Edhe në atë kohë pranoja mesazh urrejtjeje përmes postës. Por, sot më përfshijnë të dridhura kur mendoj se çfarë do të ndodhte në mediat sociale dhe në mediat shtetërore ruse dhe ato kineze dhe në llogaritë e Twitter-it, nëse konflikti në Kosovë do të ndodhte tani. Pa dyshim që do të kishte një ortek me “cicërima”, “trolla” dhe “bot”-e armiqësorë nga shtetet autoritare dhe bashkëpunëtorët e tyre në përpjekje për të diskredituar vlerën e demokracisë dhe të liberalizmit dhe për të mohuar realitetin e abuzimeve njerëzore që kanë ndodhur në mënyrë të pamohueshme.

Demokracia.com: Më 1999 nuk ishte vetëm Kosova dhe Serbia në luftë, por ishte në pyetje edhe kredibiliteti i Perëndimit. Nga “Zeitgeist” i sotshëm një unitet i tillë është i paimagjinueshëm. Çfarë ju bëri aq të bashkuar në atë kohë dhe çfarë ju bën aq të ndarë sot?
Jamie Shea: Unë nuk jam aq pesimist që Perëndimi është i ndarë sot. NATO-ja i është përgjigjur ashpër aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, dhe BE-ja, SHBA-ja dhe shumë vende të tjera kanë vënë dhe kanë mbajtur sanksionet kundër Moskës që nga ajo kohë. Aleatët ndërhynë në Libi për të ndaluar Gadafin dhe nuk e lejoi të kryente masakër kundër popullsisë së Bengazit dhe (aleatët në NATO) kanë qëndruar bashkë edhe në Afganistan e Irak. Kalifati i ISIS-it u mund nga një koalicion ndërkombëtar. Që nga viti 1999, Kroacia, Sllovenia, Rumania, Bullgaria, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut i janë bashkuar NATO-s e shpresoj së shpejti edhe Kosova e pavarur. Administrata e re e Biden po punon ngushtë me aleatët evropianë dhe Biden e ka bërë forcimin e aleancave prioritet kryesor të politikës së tij të jashtme. A do të doja të shihja edhe më shumë unitet? Sigurisht që po, por pamja e përgjithshme nuk është aq e keqe. Ne ende bëhemi bashkë kur duhet përballuar ndonjë krizë dhe kjo është gjëja kryesore.

Demokracia.com: Bombardimet zgjatën shumë. A kishte NATO një plan B për intervenim tokësor?
Jamie Shea: Duhet kohë që përdorimi i kufizuar dhe proporcional i forcës të arrijë një ndikim vendimtar, ashtu siç ishte dizajnuar për të ndëshkuar makinerinë represive të Millosheviqit, por jo edhe popullin serb. Kështu që, NATO-ja duhej t’i jepte kohë fushatës ajrore dhe përpjekjeve diplomatike, të udhëhequra nga ish-presidenti finlandez, Maarti Ahtisaari, para se të kalohej në Planin B. Fatmirësisht, ky kombinim i forcës dhe i diplomacisë funksionoi duke izoluar totalisht Millosheviqin dhe duke ia bërë të qartë atij se nuk do ta shpëtojnë përçarjet në bashkësinë ndërkombëtare. Unë nuk besoj se NATO-ja dëshironte të niste një intervenim tokësor nëse mund ta evitonte, por duke pasur parasysh shkallën e spastrimit etnik të Millosheviqit në Kosovë, jam i bindur se do të ndodhte edhe ky intervenim nëse fushata ajrore nuk do të kishte sukses.

Demokracia.com: A kishte përpjekje për ndarjen e Veriut të Kosovës nga rusët në vitin 1999?
Jamie Shea: Në të vërtetë rusët u përpoqën në qershor të vitit 1999 të shtriheshin në veri të Kosovës. Ndoshta Jelcini po kërkonte diçka si një Republika Srpska në veri të Ibrit ose thjesht një sektor ushtarak rus në mënyrë që të kundërshtonte ndikimin e NATO-s dhe të BE-së në rajon. Por, operacioni rus ishte amatoresk dhe Hungaria e Rumania e mbyllën hapësirën e tyre ajrore, gjë që e pengoi Jelcinin të dërgonte përforcime. Përfundimisht, rusët u kënaqën me menaxhimin e aeroportit të Prishtinës, që nga perspektiva e NATO-s nuk ishte një rezultat aq i keq. Sa i përket veriut sot, unë besoj se duhet të mbetet pjesë e Kosovës si një vend modern, evropian dhe shumetnik. Unë jam kundër shkëmbimeve të territoreve që rrallë i kënaqin të gjithë dhe presupozojnë që njerëzit e grupeve të ndryshme etnike nuk mund të jetojnë së bashku e në paqe. Nëse serbët mund të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe të përparojnë në një Kosovë demokratike, kjo do ta bëjë më të mundur që Serbia të evoluojë gjithashtu në një drejtim më evropian.

Demokracia.com: Përballë ushtrisë më të fuqishme në Ballkan ishte UÇK-ja. Në atë kohë, si e keni parë rolin e UÇK-së për çlirimin e Kosovës?
Jamie Shea: Nuk kishte një pikëpamje të përbashkët në mes aleatëve sa i përket UÇK-së dhe rolit të saj gjatë konfliktit. Disa hapën kanale komunikimi, ndërsa të tjerët jo. NATO-ja nuk e ndoqi objektivin e një Kosove të pavarur në fillimet e ndërhyrjes së saj edhe nëse ky ishte rezultati i pashmangshëm pas politikave të Beogradit dhe vetë konfliktit. Pas konfliktit, NATO-ja dhe KFOR-i duhet të merreshin me strukturën e UÇK-së, meqë kjo ishte një realitet dhe burim i shumë udhëheqësve të Kosovës, para dhe pas pavarësisë. Qëllimi ishte përfshirja e personelit të UÇK-së në forcat e reja të sigurisë të Kosovës të kontrolluara në mënyrë demokratike dhe me bazë kushtetuese, transparente dhe të qeverisura me ligj. Dhe ky qëllim është arritur. Për kënaqësinë time të madhe, pjesëtarë të FSK-së sapo janë nisur në Kuvajt për t’u bërë pjesë e një misioni paqeruajtës ndërkombëtar.

Demokracia.com: Drejtuesit e UÇK-së sot po përballen në Hagë me një gjyq një-etnik, ndërsa krimet serbe nuk po gjykohen. Në Kosovë ka mendime se ky Tribunal i njëanshëm po përpiqet të rishkruajë historinë. Si e gjykoni ju atë?
Jamie Shea: Të kërkohet llogari për krimet e luftës nuk është thelbësore vetëm për drejtësinë dhe për të shkruar në mënyrë të saktë historinë, porse edhe për të promovuar pajtimin. E vërteta është themel i çdo shoqërie demokratike. Është e rëndësishme që Kosova është shembull për këtë, pasi është Parlamenti i Kosovës ai që mori vendimin për themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Unë përshëndes vullnetin e liderëve të Kosovës, si ish-presidenti Thaçi, për të bashkëpunuar me Dhomat dhe të dorëzohen vetë vullnetarisht në Hagë. Procesi gjyqësor nuk është pranim i fajit, por thjesht një garanci se procesi i duhur është ndjekur. Unë e di që akuzat për krime lufte nuk janë popullore në Kosovë, por të gjitha palët në një konflikt duhet të jenë të përgjegjshme dhe t’i japin rast drejtësisë që të ndjekë rrugën e saj. Kjo vlen njësoj edhe për Serbinë, e cila e ka detyrimin të mbajë gjyqe për krime lufte në territorin e saj dhe të kryejë hetime për të vendosur përgjegjësinë penale të atyre që janë përgjegjës për krime. Serbia e ka bërë këtë për krimet e kryera nga serbët gjatë konfliktit boshnjak, pasi Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë mbylli dyert në Hagë një dekadë më parë. Ajo duhet të bëjë të njëjtën gjë në lidhje me Kosovën.

Demokracia.com: Gjykata erdhi në një kohë të rëndë për Kosovën, e cila mbetet e izoluar, s’ka liberalizim të vizave, s’ka perspektivë evropiane, është me shtetësi të papërmbyllur. A po ia kthen Perëndimi shpinën shtetit më properëndimor në botë?
Jamie Shea: Përsëri, nuk do të isha kaq pesimist. Ballkani Perëndimor po ecën drejt integrimit euroatlantik. Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre historike mbi çështjen e emrit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut më në fund kanë marrë dritën jeshile nga Brukseli për të filluar negociatat e tyre të anëtarësimit në BE. Mali i Zi dhe Serbia janë përfshirë tashmë në këtë proces për disa kohë. KFOR-i ka qëndruar në Kosovë që 22 vjet dhe NATO-ja ka mbajtur zotimin e saj për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin. Vendet e Ballkanit Perëndimor po rrisin bashkëpunimin e tyre rajonal në çështjet si fatkeqësitë natyrore (përmbytjet dhe zjarret në pyje) dhe luftimi i krimit të organizuar. Dy nga sfidat më të mëdha – pandemia e Covid 19 dhe migrimi i paligjshëm nga Afrika dhe Lindja e Mesme, vijnë prej jashtë rajonit dhe për to nevojitet solidaritet ndërkombëtar, veçanërisht në shpërndarjen e drejtë të vaksinave. Natyrisht, unë e di shumë mirë se mbeten disa sfida të mëdha: situata e brishtë brenda Bosnjës, Beogradi që shikon kah lindja, kah Rusia dhe Kina, në të njëjtën kohë kur shikon edhe kah perëndimi, drejt BE-së, nevoja për një normalizim të lidhjeve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe njohja e Serbisë për Kosovën. Kështu që, Ballkani Perëndimor është një punë e papërfunduar për NATO-n dhe për BE-në dhe është e rëndësishme që këto dyja të qëndrojnë të përqendruara në rajon dhe të zgjidhin këto çështje të pazgjidhura, duke përdorur presionin diplomatik atje ku është e nevojshme. Administrata e Biden është plot me njerëz që e njohin mirë rajonin e Ballkanit dhe unë kam besim se ata do të punojnë në mënyrë konstruktive me aleatët evropianë për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor të ecë përpara.

Demokracia.com: Ndërkohë, në Kosovë kemi një qeveri të re. Kryeministri Kurti, trashëgimi politike e ka bashkimin kombëtar. Si e vlerësoni idenë e krijimit të një shteti monoetnik?
Jamie Shea: Sinqerisht nuk jam në favor të kësaj ideje. Tani që konfliktet në rajon fatmirësisht kanë mbaruar, ajo që na duhet është bashkëpunimi më i mirë midis shteteve ekzistuese e jo krijimi i shteteve të reja. Shtetet monoetnike nuk e forcojnë demokracinë, tolerancën, inovacionin dhe prosperitetin. Për më tepër, ndryshimet e kufijve në një vend vetëm sa sjellin lëvizje për të ndryshuar kufijtë diku tjetër dhe kjo vështirë se është një recetë për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal për të cilin rajoni ka nevojë kaq urgjente. Kështu që, unë shpresoj, që Qeveria e re në Kosovë do të punojë ngushtë dhe konstruktivisht me partnerët e vendit në NATO dhe në BE për t’u përqendruar në çështjet që janë më të vërtetë shqetësuese për popullin e Kosovës: rritja e ekonomisë dhe krijimi i vendeve të punës, tërheqja e investimeve të huaja, përmirësimi i sundimit të ligjit dhe luftimi i korrupsionit, përmirësimi i arsimit dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut Prishtinë-Beograd, i sponsorizuar nga BE-ja.

Demokracia.com: Më 1999 në Kosovë qytetarët nuk iu kanë dalluar nga Bill Clinton dhe Tony Blair. Çfarë jeni duke bërë tani? Dhe sa jeni të lidhur me Kosovën?
Jamie Shea: Faleminderit për krahasimin me Bill Clinton dhe Tony Blair, por nuk mund të pretendoj se menaxhimi i mediave në Bruksel është si të menaxhosh një vend të madh ose edhe një vend të vogël. Unë u largova nga NATO në tetor të vitit 2018 pasi, fatkeqësisht, arrita moshën e pensionit të detyrueshëm dhe u detyrova të lë një punë dhe një organizatë të cilës i kisha kushtuar 38 vjet të jetës sime. Por, lëvizja ime prej aty më ka dhënë mundësinë të bëj gjëra të reja si të japë mësim si profesor universiteti dhe të bëhem “think-tanker”. Jam gjithashtu President i Qendrës për Studime të Luftës në Universitetin e Danimarkës Jugore dhe Sekretar i Përgjithshëm i një grupi që përcjell implikimet e ndryshimeve klimatike në sigurinë. Mbes një mik i vërtetë i Kosovës dhe e mbështes Kosovën në media dhe në konferenca dhe takime ndërkombëtare sa më shpesh që të mundem. Më mbetet merak që nuk kam qenë më i përfshirë në projekte në Kosovë për të ndihmuar vendin të ndërtojë të ardhmen e vet, veçanërisht në sektorin e arsimit dhe të “think-tank”-eve. Por, shpresoj që ka ende kohë dhe mundësitë për të dhënë një kontribut të tillë do të shfaqen në të ardhmen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KF Drenica ka njoftuar se Sami Sermaxhaj është trajneri i…