‘Janë çlirimtarë, jo fajtorë’, reagime nga familjarët e Thaçit në Burojë
Ndonëse janë mërzitur nga kërkesa e kryeprokurores së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, për dënim me burgim ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, familjarët e Thaçit në fshatin Burojë, po shpresojnë që të vihet në vend drejtësia në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe ai të lirohet.
Familjari Milazim Thaçi nga Buroja shpreson në drejtësi dhe në lirimin e të gjithë të akuzuarve, në mënyrë që të gëzohet e gjithë Kosova.
Sipas tij, si familje e Hashim Thaçit, ata kanë pak për të shtuar. Ndërsa për krerët që po gjykohen në Hagë, ai tha se janë çlirimtarë të Kosovës, pasi kanë luftuar armikun që ka bërë krime ndaj popullit.
“Sot e pashë një lajm të hidhërueshëm, si folën për krerët e UÇK-së. Të gjithë ata që janë aty, janë çlirim i Kosovës, se nuk kanë qenë ata që kanë shkuar në Serbi e kanë luftuar, por ata kanë ardhur këtu e na kanë bërë të gjitha të zezat. Po shpresoj në drejtësi se kanë me i liruar dhe kanë me na ardhë në shtëpi te familjet e veta e te krejt Kosova. Po çuditem për disa persona që po flasin, mos janë shqiptarë, pse nuk po flasin për serbët çka na kanë bërë neve, por po flasin për vëllezërit e vet e shokët e vet. Ishalla Zoti sa më shpejt na vijnë, se nuk janë e keqja e askujt ata. Pa marrë parasysh, nuk mundem me i nda si fëmijët e mi. Kjo është padrejtësi e madhe, kjo është marri e madhe. Kanë me u gëzuar shtëpi për shtëpi se nuk kanë qenë e keqja e askujt. Me familjen e Hashimit pak ka”, është shprehur Thaçi.
Edhe Bajram Thaçi shpreson që ai të lirohet, por sipas tij, Serbia po punon që ta bëjë të pamundur lirimin e tij.
Thaçi ka thënë se është padrejtësi ajo çka po ndodh në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndaj krerëve që kanë punuar dhe kontribuar për jetën që po zhvillohet sot në vend.
“Shpresa është 100 për qind, se nuk ka argumente për të, por ka mundësi paratë që janë dhënë për të në Serbi, kundërshtarët aty o puna. Armiku punon natë e ditë për të bërë të vetën, me ia bërë të pamundur. Hashimi si Hashim e dinë edhe populli, e jo veç katuni, nuk ka pasur vërejtje, as nuk ka ai asgjë që është munduar. Për këtë ditë të sotit ka punuar dhe ka kontribuar”, ka thënë Thaçi.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur fjala përfundimtare e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Kjo paraqet fazën përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Sot, kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, kërkoi 45 vjet burgim për secilin prej krerëve.
Më 9 dhe 10 shkurt fjalën përfundimtare do ta thotë Prokuroria e Hagës.
Ditëve në vijim është radha për avokatin e viktimave.
Ndërkohë, më 18 shkurt është planifikuar të thonë fjalën e tyre edhe krerët e UÇK-së.



