Janë vaksinuar mbi 29 mijë qytetarë, asnjë s’ka pasur efekte të rënda anësore
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë thirrje sot që të merren vaksinat kundër Covid-19, duke thënë se vaksinat që ka në dispozicion Kosova janë të sigurta dhe efikase.
Institut ka bërë me dije se deri me tani janë vaksinuar mbi 29 mijë qytetarët të Kosovës dhe asnjë prej tyre nuk ka pasur efekte të rënda anësore. “Deri tani në Kosovë janë vaksinuar 29.704 persona me dozën e parë dhe asnjë nga ta nuk kanë raportuar efekte të rënda pasvaksinale. Vaksinat kundër COVID-19, janë mundësia jonë më e mirë në mposhtjen e pandemisë dhe kthimin në normalitet. Ministria e Shëndetësisë në koordinim me IKSHP-në po zbatojnë me përpikëri Planin Shtetëror të Vaksinimit të popullatës kundër COVID-19”, është thënë në njoftimin e instituti.
Sipas institutit, vaksinimi është mënyra më e mirë, më e lirë dhe më efikase për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
“Komiteti Kombëtar për Vaksinim kundër COVID-19 u ka dhënë prioritet punëtorëve shëndetësor si kategori esenciale për menaxhim të situatës me pandeminë, krahas kategorive të tjera, që po ashtu, janë vaksinuar në fazën e pare, si të moshuarit, të vendosurit në qendrat për të moshuar dhe punëtorët social që kujdesen për ta, të sëmurët kronikë në moshat e shtyra, etj., gjithnjë sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19. Andaj i inkurajojmë qytetarët që të përcjellin njoftimet zyrtare për fazat e ardhshme të vaksinimit dhe kategoritë që do të vaksinohen sipas Planit”, është thënë në njoftimin e institutit.



