Janina Ymeri: Ligji për naftën është në favor të naftëtarëve, jo të konsumatorëve
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka kritikuar ashpër politikat aktuale lidhur me tregun e derivateve, duke thënë se ligjet dhe udhëzimet administrative janë hartuar kryesisht në favor të naftëtarëve.
Sipas saj, vetë kryetari i shoqatës së naftëtarëve ka deklaruar se çmimet dhe rregullimet janë bërë në koordinim me qeverinë aktuale, pra të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Vetë kryetari i shoqatës ka thënë se i kanë rregulluar çmimet me qeverinë e re. Nëse 99% e kërkesave të tyre janë përmbushur, atëherë nuk gjej qeveri tjetër që i ka ndihmuar më shumë naftëtarëve se kjo,” tha Ymeri.
Ajo shtoi se, duke analizuar ligjin për tregtinë e naftës, rezulton se ai është “kryekëput në favor të naftëtarëve dhe jo të konsumatorëve”. Ymeri gjithashtu theksoi se rritja e çmimeve në import nuk duhet të jetë barrë për qytetarët./Gazeta 10/



