
Janjiq: Dialogu Prishtinë-Beograd i konsumuar, nevojitet platformë e re
Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës ka arritur në një pikë stagnimi dhe kërkon një qasje tërësisht të re, vlerëson analisti politik, Dushan Janjiq.
Ai ka thënë se qytetarët në të dy anët kanë humbur besimin në procesin ekzistues, ndërsa BE-ja nuk e trajton më dialogun si prioritet politik, pavarësisht emërimit të Peter Sorensen si i dërguar i ri.
“Me fjalor të vjetër dhe aktorë të njëjtë, nuk mund të bësh një shfaqje të re. Dialogu ka përfunduar. Borrellu dhe Lajçaku vetë e kanë pranuar se jemi në fazën e menaxhimit të konfliktit që nga viti 2022, por edhe kjo është bllokuar. ShBA-ja nuk është mjaftueshëm e përfshirë, ndërsa Sorensen ndjek vetëm agjendën e Komisionit Evropian”, ka thënë Janjiq, duke nënvizuar se termet si “dialog” dhe “normalizim”, sipas tij, janë bërë politikisht toksikë pasi nuk sjellin rezultat.
Sa i përket zhvillimeve të brendshme ne Serbi, Janjiq vlerëson se mbështetja për regjimin e Aleksandër Vuçiqit është në rënie, gjë që u reflektua në zgjedhjet lokale ku ne dy komuna pavarësisht presionit dhe keqpërdorimeve, pushteti nuk arriti fitore bindëse.
“Zgjedhjet e parakohshme janë rruga e vetme demokratike dhe paqësore. Por ato nuk mund të ndodhin pa marrëveshje paraprake midis pushtetit, opozitës, studentëve dhe faktorëve ndërkombëtarë”, ka shtuar ai.
Sipas tij, mundësia për ndryshim ekziston, por pa një platformë të brendshme të qartë dhe pa vullnet politik, tranzicioni demokratik do të mbetet i paarritshëm.